Arbëri

Katër organizata joqeveritare me kallëzim penal ndaj Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit

Një kallëzim penal është dorëzuar këtë të premte ndaj sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku.

4 organizata të shoqërisë civile në krye me Grupin për Studime Politike dhe Juridike, kanë denoncuar sekretarin e kësaj ministrie me dyshimet se kishte vepruar kundërligjshëm kur kishte obliguar drejtorin e Urbanizmit në Prishtinë të lëshojë kushtet ndërtimore për ndërtimet përreth liqenit të Badovcit.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, raporton KTV.

Kjo ministri përmes një njoftimi dërguar medieve, këtë kallëzim të shoqërisë civile e ka cilësuar si linçim publik, derisa ka thënë se të gjithë veprimet e saja ishin marrë bazuar në kompetencat e tyre.

Më tutje, në reagimin e ministrisë thuhet se pavarësisht presioneve, kjo ministri është e përkushtuar të zbatojë Ligjin për mbrojtjen e rezervave ujore në Kosovë, me theks të veçantë atë të Badovcit dhe se në asnjë rast nuk do të lejojë shkeljen e Ligjit nga ndërtimet eventuale nga kushdo qoftë.

Ky kallëzim penal vjen një muaj pas prezantimit të një projekti i cili parashihet si ndërtim në afërsi të liqenit të Badovcit, njëri prej burimeve kryesore të ujit furnizimit më ujë të kryeqytetit.