Sipas ligjit, kërkohet një zjarrfikës për çdo 1500 banorë, e që i bie se Ferizaj me rrethinë do të duhej t’i kishte 75 zjarrfikës. Qendra e zjarrfikësve dhe Komuna e Ferizajt thonë se u janë drejtuar niveleve qendrore, pasi është kompetencë e tyre shtimi i numrit, por deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Për ta lehtësuar situatën, Komuna herë pas here angazhon vullnetarë përmes një organizate
Qendra e zjarrfikësve në Komunën e Ferizajt prej vitesh po përballet me mungesë të stafit profesional. Për intervenime të shpejta kjo qendër funksionon me katër zjarrfikës profesionalë gjatë një ndërrese.
Komuna për çdo vit angazhon vullnetarë me pagesa simbolike nëpërmjet një organizate për t’i dalë në ndihmë qendrës, megjithëse menaxhimi i takon drejtpërdrejt Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME) në nivel qendror.
Drejtuesit e kësaj qendre thonë se kërkesat për rritjen e stafit të zjarrfikësve nuk po shqyrtohen nga niveli qendror.
“Kërkesat janë të vazhdueshme, janë të protokolluara e të përshkruara, madje edhe përmes mediave, mirëpo deri më tash jemi në heshtje, andaj po shpresojmë që Qeveria të marrë ndonjë hap në këtë drejtim, të arrihen kushtet dhe të plotësohet numri i punëtorëve, të furnizohemi me mjete e pajisje dhe të përgatitemi me sfidat e radhës”, ka thënë Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në Ferizaj.
Zjarrfikësit ankohen se nëse ndodhin dy raste në të njëjtën kohë, atëherë bëhet shumë e vështirë për ta.
“I kemi automjetet e vjetruara dhe nuk janë në gjendje të mirë teknike, pastaj jemi edhe me fuqi punëtore me numër të vogël. Jemi katër zjarrfikës dhe kujdestari i telefonit 5, prej tyre një është udhëheqës i ndërrimit, dy vozitës dhe një zjarrfikës. Pastaj i kemi edhe disa sezonalë, mirëpo ndryshe janë kur ata trajnohen me rregull, andaj jemi me numër të vogël”, u shpreh Bahri Ramadani, zjarrfikës.
Kërkesa për këtë çështje ka adresuar në AME edhe Komuna e Ferizajt.
Arben Halili, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, ka thënë se bazuar në numrin e banorëve të qytetit, do të duhej të ishin 75 zjarrfikës.
“Nëse e analizojmë me ligj çdo 1.500 banorë duhet ta ketë një zjarrfikës profesional, ndërkaq me statistikat e fundit, Komuna e Ferizajt diku me rreth 110 mijë banorë i nevojiten 75 zjarrfikës, ndërkaq shërbimi aktual i ka rreth 25 zjarrfikës të rregullt. Janë edhe 4 apo 5 pozita të lira të rregullta, të cilat nuk janë shpallur fare nga AME-ja, andaj kërkojmë që edhe këto pozicione të plotësohen”, ka thënë Halili.
Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka njoftuar se e ka parasysh situatën dhe se po punon për ta përmirësuar atë.
“Ju informojmë se AME-ja është në fazën e hartimit të projekt-aktit nënligjor për kriteret e rekrutimit dhe gradimit të zjarrfikësve, për të mundësuar fillimisht plotësimin e vendeve të lira sipas kritereve të caktuara dhe duke rritur numrin e zjarrfikësve sipas kërkesave të njësive nëpër komuna. Po ashtu, në Komunën e Ferizajt aktualisht për asistencë të NJPZSH-së, Komuna ka angazhuar edhe një numër të konsiderueshëm të zjarrfikësve vullnetarë”, thuhet në përgjigjen e AME-së.
Qendra e zjarrfikësve gjatë vitit 2022 ka realizuar mbi 600 intervenime të ndryshme.