Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Katërshja e UÇK-së thotë fjalët përfundimtare në Hagë

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Krasniqi: Figura e përshkruar në aktakuzë nuk është personi që qëndron sot para jush

1 muaj më parë / 18 shk 2026 15:11
Jakup Krasniqi

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se ai nuk është ashtu siç është përshkruar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Hagës. Krasniqi ka potencuar se ato akuza madje nuk i shërbejnë asnjë drejtësie, e aq më pak asaj demokratike.

Në fjalën e tij, Krasniqi ka thënë se në aktakuzë i atribuohen role e përgjegjësi që nuk i ka pasur kurrë.

“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta arrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndroj mbi prova të besueshme dhe të vërtetat. Padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën. Mua më atribuohen role, autoritet e përgjegjësi që nuk i kam pasur kurrë. Kjo nuk ishte çështje dallimi në interpretimin e fakteve, ishte shpifje. Figura e përshkruar në dokumentet e prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve që erdhën këtu dhe patën guximin ta thonë të vërtetën për atë se kush isha dhe kush nuk isha. Ata nuk erdhën për të më mbrojtuar mua por t’i mbrojtur faktet, realitetin tonë historik të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë tutje se 16 nga 75 vjet po i kalon i privuar nga ajri i lirisë, por sipas tij, dalja e tij e parë publike tregoi që ishte kundër krimeve serbe që po ndodhnin në Kosovë.

VIDEO:

“Sot ndodhem në vitin tim të 16 të burgimit vetëm sepse luftova për lirinë dhe pavarësinë e popullit tim. Thash në vitin e 16-të sepse 10 vite e më shumë burgim i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 të jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël. Dalja ime publike më 11 qershor, 1998, tregoi që isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi vetëm pak kohë pas masakrave serbe në Qirez, Likoshan dhe Prekaz ku humbën jetën 83 njerëz shumica prej tyre fëmijë, gra dhe të moshuar, të paarmatosur dhe të vrarë në shtëpitë e tyre. Këto vrasje brutale shënuan një pikë kthese të ndërgjegjes për një brez të tërë shqiptarësh”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi vlerëson se po i bëhet padrejtësi duke e mbajtur në Hagë dhe siç tha po i mohohet e drejta për të jetuar në liri e me dinjitet si një person në fazën e fundit të jetës së tij.

“Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore e meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se pesë vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, angazhimin tim politik e jetësor jam angazhuar që herët. Për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të persekutimit dhe regjimit serb të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë të popullit të Kosovës. Për më shumë se 5 vjet besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, është shprehur Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare.

Selimi: Historia s’mund të rishkruhet, armët për ne ishin mbijetesë

1 muaj më parë / 18 shk 2026 14:34
Rexhep Selimi

Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij përfundimtare të mërkurën ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi. Para trupit gjykues në Hagë, Selimi ka deklaruar se UÇK-ja nuk është krijuar nga dëshira por nga nevoja dhe se armët për ta ishin mbijetesë.

Përballë masakrave të Serbisë, Selimi ka thënë se nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të vetëmbroheshin.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t'u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Duhej të rezistonim, prandaj besova që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për një si Adem Jashari dhe si UÇK-ja, prandaj iu bashkova UÇK-së. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, u shpreh Selimi. 

Ai tutje u shpreh i bindur se kanë bërë gjënë e duhur.

VIDEO:

“Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, ka thënë ai mes tjerash.

Selimi u shpreh se UÇK-ja nuk kishte plan të sulmonte civilë e as parti politike.

“UÇK-ja s’ishte parti politike, por luftonte për çlirim”, ka shtuar ai.

Selimi vlerësoi se Prokuroria është përpjekur të përçajë shqiptarët mes vete e akuzat ndaj tij i ka quajtur të pabazuara dhe të padrejta.

“Këto pesë vjet s’kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Le të shërbejë si qëllim për drejtësi. Shpresoj që trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar që lufta jonë ishte e drejtë, dhe pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë. Rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë të pabazuar dhe të padrejta. Prokuroria është përpjekur të na përçajë. Në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti që nuk e donte Pavarësinë dhe rrjedhimisht që e mbështesnin autonominë nën Serbi. Prokuroria po përpiqet të na ndajë neve shqiptarëve mes veti dhe ta barazojë UÇK-në me Serbinë”, ka deklaruar ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Selimi ka thënë se e sheh si nder që konsiderohen si një prej themeluesve të UÇK-së.

“E cilësoj si nder që jam ndër themeluesit e UÇK-së. Nëse kjo përkthehet në akuza, nuk është faji im, por është faji i tyre që nderin e përgjegjësinë e shohin si faj”, deklaroi Selimi, duke shtuar se është i bindur se drejtësia do t’i kthejë shtëpi.

Veseli: Pas dekadash hetimesh, s’ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim

1 muaj më parë / 18 shk 2026 14:25
Kadri Veseli

Ish-kryeparalementari Kadri Veseli ka thënë se gjykata duhet që me çdo kusht të mbrojë të vërtetën dhe paanësinë.

Sipas tij, ky është shkaku që iu bashkua radhëve të mijëra grave dhe burrave në UÇK.

Veseli ka thënë se edhe në momentet më të errëta nuk e kishte humbur besimin që e drejta dhe liria do të triumfonte.

“Kam besuar që populli i Kosovës e kishte të drejtën për të jetuar në liri e dinjitet. Kurrë nuk kam besuar që dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë e as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm të shtetit serb. Ky nuk është përshkrim abstrakt por realitet që ka prekur çdo anëtarë të familjes time por edhe çdo qytetar. Unë e di çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur e të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm. Por në padrejtësi, njeriu duhet të ruaj integritetin moral dhe vlerat themelore humane. Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë krim i kryer nga ana ime”, ka thënë ai.

Ka shtuar se pjesëmarrja e tij në luftë nuk ka lindur për shkak të dëshirës së tij për konflikt.

Veseli ka thënë se edhe ai ka dashur një jetë të thjeshtë.

“E vërteta e asaj që po ndodhte tashmë dihet botërisht. Serbia dhe Millosheviqi kërkonin kontrollin mbi gjithë popujt e ish-Jogusllavisë. Unë jam larguar nga Kosova, ka qenë i detyruar. Por derisa unë jetoja në një vend të lirë, vendi im po përballej me vuajte të thella. Shqiptarët në Kosovë nuk mund të jetonin lirshëm”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur Masakrën e Likoshanit dhe vrasjen e familjes Jashari në Prekaz.

Veseli ka deklaruar se nuk mund të qëndronte indiferent derisa populli po përballej  me robëri.

Ai ka thënë se qëllimin e kishte të qartë, të kontribuonte për lirin e vendit pa i bërë padrejtësi askujt.

“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Por ajo çka duhet të dalë nga kjo është paanshmëria. Unë qëndroj  në këtë proces me bindje se  e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje dhe unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Ndërgjegjja ime është e pastër”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se të gjithë janë qenie humane dhe se besimi i tij te e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur.

Thaçi: Është vetëm një e vërtetë, unë jam i pafajshëm

1 muaj më parë / 18 shk 2026 14:03
Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalimin përmbyllës para trupit gjykues në Hagë, duke deklaruar se është plotësisht i pafajshëm.

Në fillim të fjalës së tij, ai uroi qytetarët shqiptarë me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përpara se të adresonte akuzat ndaj tij.

“Për gati tri vjet në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Thaçi kujtoi se në fillim të vitit 1998 ishte student në Cyrih dhe, sipas tij, nuk kishte plane për marrjen e kontrollit në Kosovë.

“Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 isha student në Cyrih. Unë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin e Kosovës. I vetmi që bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi”, deklaroi ai.

Thaçi theksoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë ishte i motivuar nga dëshira për të kontribuar për lirinë e vendit.

“Duke parë masakrat në vendin tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të vij në Kosovë dhe të bëj atë që do të bënte secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave, si dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, kundërshtari i vetëm i tij dhe i UÇK-së ishte regjimi i Millosheviqit.

“Këto akuza janë shumë të rënda. Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur e lërë me të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht... Fakti që jemi gjallë ishte fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit”, u shpreh ai.

Thaçi ka thënë se Millosheviqi ishte arsyeja pse UÇK-ja u masivizua dhe jo ai.

“Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi.  Albrighti e ka thënë më mirë, citoj: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së’. UÇK-ja nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor”, përfundoi Thaçi fjalimin para trupit gjykues.

Fjalimi i plotë i Thaçi:

Ndiqni transmetimin live: 

Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

1 muaj më parë / 18 shk 2026 12:41
Aiden Ellis

Mbrojtja e Krasniqit tha se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.

Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se Prokuroria po ndryshon qëndrimet kur mbështet përgjegjësinë e të akuzuarve në faktin që ishin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

Ai tha se vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia e tyre në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument.

Sipas tij, për kontributin për NPK përgjegjësia individuale duhet “të identifikohet individualisht”, në të kundërtën, tha ai, i bie që i gjithë rasti është kundër Shtabit të Përgjithshëm e jo ndaj katër të akuzuarve.

Seanca ka shkuar në pauzë dhe pas pushimit, ish-eprorët e UÇK-së do të deklarohen.

Seanca pritet të nisë në 14:15.

Mbrojtja: Nuk ka asnjë provë për fajësinë e Selimit

1 muaj më parë / 18 shk 2026 12:41
Geoffrey Roberts

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, ka thënëse Prokuroria nuk ka asnjë provë “për të siguruar fajësinë e Selimit”.

“ZPS nuk ka argumente kundër Selimit”, tha ai, duke shtuar se nuk mund të vërtetohet se ai ka kontribuar për krimet e paraqitura në aktakuzë.

“Zoti Selimi duhet të shfajësohet për të gjitha akuzat. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet mbi bazën e provave të paraqitura në këtë proces gjyqësor”, tha ai.

Sipas Roberts, ZPS-ja nuk ka foruar prova për të vërtetuar çdo aspekt të NPK-së, për anëtarësinë e saj, objektivat dhe mjetet që pretendonte se u përdorën për të arritur objektivin.

“E vetmja që tha ZPS është se provat që gjenden në komunikata gjenden në një poshtëshënim të saj. Por, ky poshtëshëmim vetëm evideton komunikatat, por nuk ka prova që mbështesin krimet e pretenduara. Por, vetëm përsëritje e pretendimeve të komunikatave”, tha ai.

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha po ashtu se ZPS nuk ka provuar autorësinë e shënimeve të dorës që ia atribuon Selimit, por këtë ia ka lënë në dorë trupit gjykues që të vlerësojë nëse ato ishin shkruar nga Selimi. /REL

Avokati i Veselit thotë prokuroria nuk i thirri në gjykatë dëshmitarët që përmendën Veselin

1 muaj më parë / 18 shk 2026 11:40
Rodney Dixon

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit, Rodney Dixon, tha se dëshmitarët që kanë përmendur Veselin nuk kanë dalë në ballafaqim të drejtpërdrejtë para gjykatës. Dixon tha se rregullat e gjykatës e kërkojnë një gjë të tillë nëse prokuroria pretendon se deklaratat që i ka marrë më herët duhet të përdoren si bazë për dënim të të akuzuarit. Por, sipas tij, krejt çka janë prezantuar janë thashetheme të cilave nuk i është testuar vërtetësia para trupit gjykues.  

“Z. Halling iu tregoi një videoklip të dëshmitarit 4760 ku po jepte një intervistë për ZPS-së dhe tha që me demek kishte dëgjuar një histori prej dikujt që klienti im ishte i përfshirë. Ky është thashëthem i pastër sepse vetë burimi nuk ka qenë këtu që të merrej në pyetje. Andaj, ky klip është krejt i pavlerë sepse e ka përdorur prokuroria thjesht sepse përmendet emri i klientit tim”, tha Dixon.

Ai shtoi se ballafaqimi është parim i vjetër që qëndron në thelb të gjyqeve penale.

“Kjo nuk është lojë procedurale që po bën mbrojtja, nuk po luajmë ky është ligji kryesor për testimin e provave në një gjykim penal. Është ligj që ka ekzistuar prej dekadash”, tha Dixon.
 

Dixon: Fajësia nuk mund të shpallet në prova të patestuara dhe thashetheme

1 muaj më parë / 18 shk 2026 11:26
Rodney Dixon

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka deklaruar se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person nëse vendimi mbështetet në “prova të patestuara dhe thashetheme”.

Në paraqitjen e tij, Dixon theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që e lidh Veselin me krimet e pretenduara në aktakuzë.

Ai shtoi se gjatë seancës së fundit, ZPS-ja ka bërë një përpjekje të re për ta ndërlidhur Veselin me pikat e aktakuzës, por sipas tij, këto pretendime mbeten të pabazuara.

“Ata pretendojnë se ne nuk e kemi trajtuar themelin e akuzës së ZPS-së. Kjo është një akuzë e rëndë, sepse unë kam trajtuar çdo pretendim të tyre për të dëshmuar se janë të pabaza”, deklaroi Dixon.

 

Dixoni i quajti provat e prokurorisë grumbull mbeturinash,

“Janë 15 faqe ku kemi treguar se si provat e bazuara në thashetheme janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë aspak që z. Veselit të ketë qenë i përfshirë në një veprimtari e jo më tej të ketë qenë i pranishëm fizikisht kur diçka ka ndodhur. Gjithashtu nuk ekziston asnjë gjysmë-sugjerim për një kundërshtim të rregullës 155 që mund të merret si faktor relevant për shqyrtimin e këtyre provave. Unë nuk e kuptova qartë se çfarë po përpiqej të thoshte ZPS-ja. Në fakt po më duhet të theksoj se mbrojtja e Veselit e ka kundërshtuar qartë pranimin e dokumenteve si dokumenteve sipas rregullës 155 si për rastin e dëshmitarit 4747 dhe në rastin 4760 që sapo e përmenda”, ka thënë ai. 

Mishetiq: LDK-ja s’e bojkotoi qeverinë e përkohshme për abuzim, por për ndarjen e posteve

1 muaj më parë / 18 shk 2026 11:10
Luka Mishetiq

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka kundërshtuar pretendimin e Prokurorisë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte bojkotuar qeverinë e përkohshme për shkak të abuzimeve.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që e mbështet këtë pretendim.

“Përkundrazi, provat tregojnë se LDK-ja e ka bojkotuar atë qeveri sepse nuk dëshironte të ndante vendet në qeverinë e përkohshme. LDK kishte qeveri paralele në atë kohë dhe nuk është tërhequr nga ajo deri në shkurt të vitit 2000. Kjo ishte arsyeja pse nuk iu bashkua qeverisë së përkohshme, e jo abuzimi”, deklaroi Mishetiq.

Ai shtoi se ekzistojnë 15 raste të dokumentuara kur Thaçi i kishte bërë thirrje LDK-së që t’i bashkohej ekzekutivit të asaj kohe.

Mishetiq: S’ka prova që e lidhin Thaçin me komunikatën 59, pretendimet e Selimit janë të paverifikuara

1 muaj më parë / 18 shk 2026 10:45 Nga: Ardit Kika
Luka Mishetiq komunikata 59

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me autorizimin apo përgatitjen e komunikatës 59 të UÇK-së.

Në paraqitjen për fjalën përfundimtare të mërkurën në Gjykatën Speciale, Mishetiq ka thënë se pretendimet e bëra nga Rexhep Selimi në intervistën e dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë të paverifikuara dhe të pabesueshme.

“S’ka asnjë provë që z. Thaçi ka lidhje me autorizimin e komunikatave ose deklaratave politike, përveç pretendimeve të pa verifikuara të z. Selimi lidhur me komunikatën 59. Fakti që ZPS-ja nuk ka asnjë provë tjetër që tregon përfshirjen e z. Thaçit, e diskrediton më tej atë që është thënë në intervistë”, deklaroi Mishetiq.

Ai shtoi se, sipas interpretimit të arsyeshëm të provave të paraqitura, Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në përgatitjen apo shpërndarjen e deklaratave dhe komunikatave politike.

Në komunikatën 59 të UÇK-së të vitit 1998, Gani Geci shpallet tradhtar.

Tutje, Mishetiqi ka kritikuar qasjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në paraqitjen e provave gjatë procesit gjyqësor.

Sipas tij, në vend që të lexonte dhe të argumentonte drejtpërdrejt dëshmitë, prokuroria ka zgjedhur të paraqesë vetëm lista me prova materiale, duke lënë gjykatën që vetë të nxjerrë përfundime dhe t’i lidhë ato mes vete.

Mishetiq e krahasoi këtë qasje me gjykimin ndaj Radovan Karaxhiqit, duke theksuar se në atë rast prokuroria kishte vërtetuar synimin kriminal përmes citimit të drejtpërdrejtë të fjalimeve të tij publike.

“Është e paimagjinueshme që në atë proces prokurori të mos lexonte fjalimet përkatëse, por të paraqiste vetëm një listë numrash të provave. Një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrë”, deklaroi ai, duke nënvizuar se një standard i tillë, sipas tij, nuk është ndjekur në këtë rast.

VIDEO:

Mishetiq: Prokuroria premtoi “fishekzjarrë e spektakël”, por s’paraqiti asgjë

1 muaj më parë / 18 shk 2026 10:37
Luka Mishetiq

Luka Mishetiq

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka premtuar “fishekzjarrë e spektakël” në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ka dështuar të paraqesë prova .

“Prokuroria nuk do që ju gjyqtarët të bëni punën tuaj, ata duan që ju të bëni punën e atyre, ata  duan që ju të gjeni prova që ata nuk arritën të gjenin, por të hënën siç thash ishte e qartë barra e provave bie mbi ZPS-në dhe ata dështuan mbi këtë. Mentori më mësoi mua para shumë kohësh se mëkati më i madh është që në një gjykim të premtohet më tepër se ç’mund të paraqitet dhe ZPS e ka bërë këtë mëkat të madh të pafalshëm në këtë gjykim. Kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël por nuk kanë paraqitur asgjë. Dhe këtë e keni parë edhe të hënën ku than se do ta bëjnë këtë por nuk paraqiten asgjë. Duket se ZPS do të jepte një shpjegim të asaj se çka Hashim Thaçi dhe çfarë bëri. Por a e dhanë atë argument? ZPS nuk kishte kundërpërgjigje”, tha Mishetiq. 

Mishetiq tha se nuk ka asnjë provë që Thaçi ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal” të të akuzuarve, apo të ketë pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.

“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën. ZPS tha në kundërpërgjigjet e tyre të hënë se mbrojtja nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj si gjykatës”, tha ai. 

Mishetiq foli për atë që e cilësoi si ndryshim e paraqitjes së ZPS-së sa i përket provave të vetë Prokurorisë.

“ZPS kuptoi pastaj boshllëqet që kishte në javën e fundit kur mbrojtja paraqiti provat. Tani ajo po ndryshon paraqitjen e provave për të mbushur blloqet”, tha ai.

Në këtë kontekst, ai tha se në dosjen përfundimtare të Prokurorisë, ku janë paraqitur provat përmenden dy takime të Shtabit të Përgjithshëm, ku pretendohej se ishte folur për “luftën speciale” të të akuzuarve kundër bashkëpunëtorëve.

Mishetiq tha se mbrojtja vërejti se ZPS e ndryshoi këtë, duke përmendur në fjalën e saj para Gjykatës takime të tjera, përfshirë të 23 korrikut, 19 nëntorit dhe 20 dhjetorit 1998, të cilat tha se nuk ishin pjesë e dosjes përfundimtare të prokurorisë.

Duke folur për këtë ndryshim të ZPS, ai tha se shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi kishte qenë pjesë e këtyre takimeve, por Prokuroria tha se ai nuk ishte person i besuar i të akuzuarve.

Mishetiq tha se ZPS pretendon se në këto takime u diskutua për “avancimin e qëllimit të përbashkët kriminal”, por ngriti pyetjen se ZPS nuk e konsideron Zyrapin si pjesë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“ZPS nuk ka përgjigje. Dhe kjo është e pakuptimtë”, tha ai, duke shtuar se ZPS e kuptoi se e dëmtoi veten duke thënë se Zyrapi nuk ishte pjesë e NPK-së.

VIDEO:

Mbrojtësi i viktimave: Nuk e kemi obligim t'i vërtetojmë akuzat ndaj të akuzuarve

1 muaj më parë / 18 shk 2026 10:01
mbrojtesi i viktimave

Seancën e sotme gjyqësore në Hagë ku pritet të flasë katërshja e UÇK-së, e ka nisur mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ai ka thënë se nuk e kanë obligim të vërtetojnë akuzat ndaj të akuzuarve.

Fillimisht ai u mor me pretendimin e mbrojtjes së Rexhep Selimit se mbrojtësi i viktimave nuk ka treguar lidhjen mes krimeve të pretenduara dhe Selimit.

“Nuk ka kusht ligjor që të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve, në asnjë fazë të procesit. Ne sigurisht nuk jemi përpjekur të bëjmë lidhjen e krimeve dhe Selimit. Ne kemi paraqitur informacione dhe prova që kanë pësuar viktimat. Kjo kërkohet nga ne. Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit, kjo është puna e Prokurorisë”, tha Laws.

VIDEO: