Arbëri

KDI: Pacientët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim prej institucioneve në mungesë të barnave

Jo rrallëherë, pacientët kanë mbetur me javë e muaj të tërë pa terapi të rëndësishme e mjaft të kushtueshme.

Ka ndodhur kjo, pasi institucionet shpesh kanë dështuar të sigurojnë barna nga Lista Esenciale, apo shkaku që kompania e kontraktuar, për arsye të ndryshme e ka vonuar furnizimin e rregullt.

Vetëm në dy javët e kaluara KOHA ka raportuar për mungesën prej më shumë se gjashtë javësh të “Etanercept”-it, terapisë javore për sëmundjet reumatike, si dhe të “Herceptinës” për pacientët me kancer.

Të dyja medikamentet, sipas pacientëve, kanë çmime të papërballueshme për ta. Një dozë e substancës biologjike shkon deri në 250 euro, e ajo e citostatikut në 1.500 euro.

Në KDI i shpjegojnë hapat që mund t’i ndërmarrin pacientët në këto raste.

“Pacientët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim prej institucioneve gjegjëse, cilado që është përgjegjëse për sigurimin e barnave, që tash kemi përgjegjësi të ndara ndërmjet MSH-së dhe SHSKUK-së për barnat të cilat ata detyrohen që t’i gjejnë, apo edhe më tutje t’i ndjekin këto institucione edhe në aspektin ligjor”, tha Diana Metushi nga KDI.

Metushi nga ky institut ka folur edhe për veprimet që duhet ndjekur nga SHSKUK-ja, kur kompania e kontraktuar dështon për t’i përmbushur kushtet e kontratës.

“Kontrata është një ligj në vete, atëherë institucioni është i obliguar që të fillojë masat apo hapat për shkëputjen e kontratës dhe normal ndjekjen penale të operatorit ekonomik, ndjekjen ligjore të themi të OE për dështimin në përmbushje të kushteve të kontratës. Mirëpo cilado situatë që të jetë, institucionet publike, në këtë rast MSH-ja dhe SHSKUK-ja, janë të obliguara që të sigurojnë barnat nga Lista Esenciale për qytetarin e Kosovës. Në asnjërin nga dy rastet paraprake nuk falet neglizhimi i shëndetit të qytetarëve, meqë shëndeti i qytetarëve është prioriteti ligjor numër një, duke filluar prej Kushtetutës e tutje”.

Metushi përmend faktin se në dy vjetët e fundit, në dështimin për furnizim ka ndikuar edhe ndryshimi shumë i madh i çmimeve. Ajo tregon se në këto raste, kontratat duhet të rinegociohen apo të merret një vendim i përbashkët me operatorin ekonomik, për shkëputje kontrate.

Në SHSKUK asnjëherë nuk kanë treguar në mënyrë specifike për ndonjë kompani, por kanë thënë se në vitin 2022, dënime u kanë shqiptuar 75 operatorëve ekonomikë, që nuk e kanë liferuar mallin në harmoni me kontratën.

Sipas nenit 14, paragrafi 1 i kontratës, “Vonesat e ekzekutimit”, autoriteti kontraktues, në këtë rast SHSKUK-ja ka të drejtë të shqiptojë masa ndëshkuese, në rast se ka vonesa në furnizim nga kompania kontraktuese apo operatorët ekonomikë.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë sqarime nëse ka kërkuar ndonjëherë përgjegjësi nga menaxhmenti i SHSKUK-së për mungesë të barnave.