Arbëri

KEK-u eliminon operatorin më të lirë, i kthehet mbrapsht tenderi për banjo

Zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e kanë eliminuar nga gara një operator ekonomik lidhur me një tender në TC Kosova A, edhe pse ishte më i lirë për afro 37 mijë euro, sesa që OE i rekomanduar për kontratë.

Përveç kësaj, Organi Shqyrtues i prokurimit ka konstatuar edhe shkelje tjera ligjore në këtë aktivitet të prokurimit. I njëjti institucion e ka anuluar për të dytën herë njoftimin e Autoritetit Kontraktues (KEK) për dhënie të kontratës për tenderin me titull “Renovimi i banjove në TC Kosova A” me nr. të prokurimit KEK-20-6290-5-2-1 dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim. Siç shihet në vendimin e Gjykatës së tenderëve, e njëjta lëndë është trajtuar edhe më herët dhe se KEK-u i ka përsëritur shkeljet edhe në herën e dytë.

Grupi i operatorëve ekonomikë ankues “Tala Engineering” shpk dhe “Termomontimi” shpk, pretendonte se AK me rastin e rivlerësimit ka shkelë nenin 1, 52, 59, 60 dhe 105 të LPP-së, nenin 26 dhe 39 të RRUOPP-së dhe vendimin e OSHP-së nr. 1105/20 të datës 25.01.2021. Paneli shqyrtues ka sqaruar se në vendimin e lartcekur janë dhënë konstatime lidhur me këto pretendime të Grupit të OE ankues. Sipas të njëjtit, aty është konstatuar se AK në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë nuk e ka cekur se plani dinamik duhet të ofrohet në ditë pune apo kalendarike.

“Për këtë pretendim ankimor është konstatuar se është i bazuar dhe është konstatuar se tenderi i OE ankues është me çmim më të lirë për 36,874.53 euro. Andaj, Paneli shqyrtues ripërsërit se pretendimi ankimor është i bazuar dhe AK nuk ka pasur parasysh nenin 1 të LPP-së, sepse fondet publike duhet të përdoren në mënyrë më ekonomike”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Sa i përket pretendimit ankimor për shkelje të nenin 26 të RRUOPP-së (kriteret e përzgjedhjes) dhe nenin 39 të RRUOPP-së, të nenit 59 të LPP-së dhe nenit 60 (kriteret për dhënie tëkontratës), Paneli shqyrtues ka thënë se të gjitha janë çështje të gjykuara (res judicata) në vendimin paraprak Nr. 1105/20. Për dy nenet e para thuhet se në ankesë nuk janë cekur për cilat arsye janë shkelur ato, ndërsa për dy të tjerat thuhet se pretendimet ankimore janë të bazuara.

“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, kosntatimeve, diskutimeve dhe shoshitjes së provave në tërësi, vjen në përfundim se Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në pajtueshmëri me nenin 59 të LPP-së gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, pasi që ka eliminuar tenderuesin ankues se nuk ka plotësuar afatin kohor për fillimin e përfundimit të kontratës prej 90 ditë kalendarike, ndërkaq në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë nuk e ka specifikuar ‘ditë kalendearike”, thuhet tutje në arsyetim. “Andaj, Paneli shqyrtues sqaron se këto sqarime janë dhënë në vendimin paraprak dhe të njëjtat i ripërsërit edhe në këtë vendim. Prandaj, Paneli shqyrtues vlerëson se nuk ka mundur të eliminohet një OE për një kërkesë që s’ka qenë decidive në dosje të tenderit konform nenit 56.3 të LPP-së, ku thuhet se ‘tenderuesi...nuk do të diskualifikohet ose përjashtohet nga procedurat e tilla në bazë të ndonjë kërkese ose kriteri që nuk është i cekur në njoftimin e kontratës dhe në dosje të tenderit”.

Siç thuhet në arsyetim, Paneli shqyrtues vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenin 5 dhe 59 të LPP-së.

“Njëkohësisht nuk është respektuar edhe nenin 60 i LPP-së, kriteri kryesor për dhënie të kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët”.