“KEK sh.a. dëshiron të informojë opinionin publik se ka parashtruar tashmë padi ndaj znj. Janina Imeri, e cila ndodhet në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë, si pjesë e veprimeve ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional. Në të njëjtën kohë, KEK sh.a., në ushtrim të kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo masë raportimi, përfshirë raportimin në rrjetet sociale, si dhe çdo veprim ligjor për të ndaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës, përfshirë rastet kur ato vijnë nga zyrtarë publikë. Çdo përpjekje për të denigruar punonjësit ose përfaqësuesit e Korporatës, ose për t’i atribuar KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin, është e papranueshme dhe do të ndjeket deri në fund ligjërisht”, thuhet në njoftimin e KEK-ut në Facebook.
Në njoftimin e KEK-ut po ashtu thuhet se nuk ekziston asnjë pengesë për qasje në informacionet zyrtare.
“KEK sh.a. dëshiron gjithashtu të theksojë se nuk ekziston asnjë pengesë për qasjen në informacionet zyrtare, të cilat janë publike, transparente dhe të qasshme për të gjithë përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës. Të dhënat e KEK sh.a. janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme me të dhënat publike të KOSTT-it”, thuhet mes tjerash në postim.
Një ditë më parë, deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka akuzuar sindikatën e punëtorëve të KEK-ut se nuk po i përfaqëson interesat e punëtorëve në mënyrë të denjë.
“Në vend që të kërkojë investime të reja në vendet e punës, sindikata hesht për faktin se KEK-u ka rreth 250 milionë euro të parkuara në banka, të cilat i mban me interes, në vend që t’i investojë në siguri, modernizim dhe mirëmbajtje. Në vend që të ngrejë zërin për instalimin e elektrofiltrave, mungesa e të cilëve po dëmton shëndetin e qindra mijëra qytetarëve, sindikata merret me servilizëm ndaj menaxhmentit, me shpresën se do t’i bie ndonjë përfitim personal. Në vend që të flasë për Nagip Krasniqin, tenderët e dyshimtë dhe korrupsionin, sindikata merret me mua, duke pretenduar se gjoja unë po ua “humbi djersën” punëtorëve. Në vend që të adresojë dyshimet serioze për sabotim ndaj shtetit ku jetojmë, sindikata merret përsëri me mua qe me takatin tim mbroj interesin publik dhe qytetaret qe jane ligjërisht pronarë të KEK-ut”, thuhet në postimin e Ymerit në Facebook.
Ymeri në vazhdimësi ka pasur kritika dhe akuza për situatën me energjinë në Kosovë. Ajo ka akuzuar Qeverinë Kurti, për import të energjisë elektrike nga Serbia.
Ymeri reagon pas padisë nga KEK-u: Kurti po më përndjek politikisht
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar pas padisë së parashtruar të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndaj saj. Sipas Ymerit, KEK-u si ndërmarrje shtetërore, në bazë të ligjit i ndalohet të kërkojë dëmshpërblim për shpifje andaj sipas saj kjo është bërë vetëm për ta frikësuar.
Ymeri akuzon kryeministrit në detyrë Albin Kurti, se po e përndjekë politikisht përmes të emëruarve të tij në KEK.
“Sipas LIGJIT NR. 02/L-65 LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES, Neni 5.4, autoritetet publike ndalohen shprehimisht të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje. KEK-u është 100% shtetëror. Juristët e KEK-ut e dinë (ose duhet ta kenë ditur) këtë, por e kanë dorëzuar padinë vetëm për tendencë frikësimi dhe përndjekjeje – gjë që dëshmohet edhe nga publikimi i qëllimshëm i adresës sime të banimit qe është shkelje flagrante e LIGJI NR. 06/L-082 PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE. Duke marrë parasysh që KEK është një ndërmarrje e menaxhuar nga të emëruar politikë, kjo padi është një akt i përndjekjes politike të orkestruar nga Albin Kurti dhe sejmenet e tij në KEK”, ka thënë Ymeri përmes një reagimin në faqen e saj në Facebook.
Tutje, deputetja e zgjedhur e LDK-së ka thënë se akoma nuk ka pranuar ndonjë ftesë apo njoftim zyrtar nga Gjykata.
Bajrami: Kurti me veglat e tij ka vendosur ta luftojë Janina Ymerin
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas padisë së Korporatës Energjetike të Kosovës, ndaj bashkëpartiakes së saj, Janina Ymerit.
Bajrami ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se përmes "veglave" të tij po e lufton Janina Ymerin.
“Albin Kurti në vitin 2019 thoshte se nuk je lider shqiptar nëse nuk e lufton mafinë energjetike. Sot, pas pesë vitesh qeverisje, ai nuk po e lufton mafinë energjetike. Përkundrazi, përmes veglave të tij, ka vendosur ta luftojë Janina Ymerin. Për rikujtim: Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga Albin Kurti, e ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe superkompaninë NOA”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka shtuar tutje në reagimin e saj se rezultati që morën si LDK në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk i bën që të heshtin.