Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i ka dështuar tenderi 1.5 milionësh për studimin e fizibilitetit të TC “Kosova A” për shkak të shkeljeve ligjore që ka konstatuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
Kjo procedurë e prokurimit, sipas këtij organi që njihet edhe si Gjykata e tenderëve, ka rënë ndesh me Ligjin për prokurimin publik (LPP) dhe Rregullat e udhëzuesit operativ të prokurimit publik (RRUOPP). Ky vendim i OSHP-së është marrë pas ankesës që kishte bërë operatori ekonomik “Ecotrade” shpk-Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Studimi i fizibilitetit në TC Kosova A” me nr. të prokurimit: KEK-20-7187-3-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues-Korporata Energjetike e Kosovës.
Ky operator pretendon se AK-ja ka vepruar në kundërshtim me nenet 7, 27, 33, 51 dhe 52 të LPP-së dhe nenet 26 dhe 28 të RRUOPP-së. Pas kësaj ankese, OSHP-ja kishte autorizuar ekspertin shqyrtues të prokurimit për të shqyrtuar vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankimore. Eksperti shqyrtues pas analizës së fakteve i kishte rekomanduar Autoritetit Kontraktues që të bëjë zgjatjen e afatit për një periudhë optimale për pranim të aplikacioneve dhe t’i korrigjojë kriteret e përzgjedhjes dhe kriteret e dhënies së kontratës në dokumentin parakualifikues për këtë aktivitet të prokurimit.
OE ankues është pajtuar me mendimin e ekspertit shqyrtues, ndërsa Autoriteti Kontraktues nuk është deklaruar nëse pajtohet apo jo.
“Paneli shqyrtues konform ekspertit shqyrtues sqaron se kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale të paraqitura nga Autoriteti Kontrkatues në ‘Dokumentin standard të parakualifikimit’ është përfshirë te kapaciteti teknik dhe profesional, pika 2. Kualifikimet, përvoja dhe numri i personalit të fushave relevante, ku si dëshmi është kërkuar së paku ‘diplomë universitare dhe përvoja”, thuhet në arsyetimin e vendimit të OSHP-së.
Shprehja “diplomë universitare”, sipas këtij organi, është një formulim i përgjithshëm dhe si i tillë jep mundësi të aplikimit edhe personelit me kualifikime universitare jashtë fushës së projektit të këtij aktiviteti të prokurimit.
“Sipas RRUOPP, neni 26 thekson se kriteret e përzgjedhjes do të specifikohen qartë në njoftimin për kontratë dhe në dosje të tenderit, që operatorët ekonomikë të interesuar kërkohet të dorëzojnë në mënyrë që të konsiderohet i kualifikuar. Mënyra si është shkruar nga AK-ja ky kriter i kualifikimit ‘Diplomë Universitare’ nuk është i specifikuar qartë dhe rrjedhimisht nuk është në përputhje me nenin 26 të Rregullave të Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik”, thuhet tutje në arsyetim. “Autoriteti Kontraktues duhet ta specifikojë diplomën universitare se për cilin drejtim përkatës është e nevojshme kjo diplomë në mënyrë që të qartësohet kërkesa për tenderuesit e mundshëm. Po ashtu edhe kërkesa për përvojën e punës si kriter minimal për kualifikim, duhet të jetë proporcionale për projektin në fjalë te Autoritetit Kontraktues. Prandaj, ky pretendim ankimor i OE është i bazuar”.
Lidhur me pretendimin tjetër të OE ankues “Ecotrade” shpk-Prishtinë se AK në dokumentin e parakualifikimit ka vendosur si kriter kualifikues “përvojën e punës”. e cila sipas OSHP-së, bie në kundërshtim me kriteret e vendosura për dhënien e kontratës për çmim ekonomikisht më të favorshëm në këtë dokument të parakualifikimit.
“Sepse përsëri përvoja e punës për ekspert drejtues është si nënkriter, pra kriteret e përzgjedhjes nuk mund të jenë të përsëritur edhe si kriter të dhënies së kontratës, kjo është në kundërshtim me nenin 52 të LPP-së”.
Tutje Paneli shqyrtues konform ekspertit sqaron se Autoriteti Kontraktues në dokumentin parakualifikues ka vendosur përvojën e punës së personelit si kriter të përzgjedhjes dhe po ashtu përsëri përvoja është vendosur edhe te kriteri i dhënies së kontratës me çmim ekonomikisht më të favorshëm si nënkriter.
“Kjo është e papranueshme dhe në kundërshtim me dispozitat e LPP-së sepse neni 52 i LPP-së, pika 4 thotë: ‘Autoriteti kontraktues duhet të sigurojë që të bëjë një dallim të qartë në mes kritereve të paragrafit 3 të këtij neni dhe kritereve të përzgjedhjes në lidhje me aftësitë e përgjithshme profesionale, financiare dhe teknike të themeluara në bazë të nenit 51 të këtij ligji dhe se nuk ka përsëritje të këtyre dy kategorive të kritereve”.
Në rastin konkret, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, nga Autoriteti Kontraktues nuk është respektuar kjo dispozitë sepse ka përsëritje të kritereve të përzgjedhjes dhe kritereve të dhënies së kontratës. Tutje thuhet se në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë, Autoriteti Kontraktues duhet të vendos kriteret objektive dhe të matshme duke aplikuar dhënien e peshave relative për secilin nënkriter. Prandaj edhe ky pretendim ankimor, sipas OSHP-së, është i bazuar.
“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, konstatimeve, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit shqyrtues të prokurimit, konsideron se Autoriteti Kontraktues me rastin e hartimit të dokumentit parakualifikues ka vendosur kritere të përzgjedhjes të cilat nuk janë specifikuar detajisht dhe si të tilla nuk janë në përputhje me nenin 26 të RRUOPP”, thuhet në arsyetim. “Po ashtu, Autoriteti Kontraktues nuk ka bërë dallimin e qartë në mes kritereve të përzgjedhjes dhe kritereve të dhënies së kontratës. Përvoja e punës së personelit është përfshirë në të dy kategoritë e kritereve. Kjo është në kundërshtim me nenin 52 të LPP-së”.
OSHP-ja e ka miratuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Ecotrade” shpk-Prishtinë kundër njoftimit për kontratë, lidhur me këtë aktivitet të prokurimit. Siç thuhet në vendim, OSHP-ja e ka anuluar njoftimin për kontratë.
“Nëse edhe më tutje AK ka interes për të vazhduar me këtë aktivitet të prokurimit, të njëjtin mund ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së. Andaj, në rast të ritenderimit të këtij aktiviteti të prokurimit, obligohet AK që t’i ndryshojë-korrigjojë kriteret e përzgjedhjes dhe kriteret e dhënies së kontratës në dokumentin parakualifikues në përputhje me dispozitat e LPP-së dhe RRUOPP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së. “Mosrespektimi i këtij vendimi, detyron Panelin shqyrtues që konform dispozitave ligjore të nenit 131 të Ligjit për prokurim publik të Kosovës nr. 04/L-042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-237, Ligjin 05/L-068 dhe Ligjin 05/L-092 të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit Kontraktues”, thuhet në vendimin e OSHP-së”.