Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovës” (SDK), po kërkojnë mirëmbajtjen e hapësirave përreth liqenit të Batllavës. Rexhep Zeka nga kjo organizatë ka thënë se institucionet lokale të Podujevës dhe ato qendrore duhet të gjejnë një zgjidhje të përhershme për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave. Tash për tash askush nuk përkujdeset për mirëmbajtjen e hapësirave përreth liqenit. Madje, Zeka thotë se aty nuk ka as shporta për mbeturina.
“Liqeni i Batllavës duket si mos më keq, ujëra të zeza derdhen në liqen, mbeturina gjithandej, lirisht mund të themi një hapësirë e lënë anash pa përkujdesje institucionale si nga niveli lokal dhe ai qendror. OJQ SDK së bashku me banorët e Orllanit dhe fshatrat përreth disa herë ka organizuar aksion pastrimi në pjesën përreth liqenit. Po ashtu disa herë ka kërkuar nga institucionet përkatëse si ato lokale dhe qendrore që hapësira përreth liqenit Batllava të vendosen shporta për mbeturina dhe të mirëmbahet në mënyra permanente kjo hapësirë”, ka theksuar Zeka.
Sipas tij, është e pakuptimtë pse ende nuk gjendet një bashkëpunim ndërinstitucional për mirëmbajtjen e pjesës përreth liqenit.

“Orllani, fshat në të cilin shtrihet edhe pjesa e liqenit të Batllavës është njëri ndër vendet më atraktive në Kosovë. Për ketë arsye ka një numër të madh të vizitorëve që e vizitojnë këtë bukuri natyrore. Mirëpo, në mungesë të shportave dhe mirëmbajtjes së kësaj hapësire, mbeturina sheh gjithandej. SDK kërkon që pjesa përreth liqenit të mirëmbahet si çdo hapësirë tjetër publike në Komunën e Podujevës”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës thonë se kanë angazhuar punëtorë sezonalë për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave.
“Problemi me mirëmbajtjen e hapësirave përreth liqenit të Batllavës është prej vitesh, si komunë edhe këtë vit kemi angazhuar punëtorë sezonalë të cilët kujdesen për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave në këtë pjesë, sidomos gjatë sezonit të verës kur frekuentimi është më i madh. Po ashtu edhe me organizimin tonë si Komunë dhe me bashkëpunim me OJQ-të lokale kemi organizuar edhe aksione për largimin e mbeturinave nga këto pjesë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Si komunë, ka thënë se e kanë të pamundur të bëjmë zgjidhje të qëndrueshme.
“Sepse bazuar në rregullativën ligjore në fuqi nuk kemi hapësirë për angazhimin e punëtorëve për punë të vazhdueshme. Ne jemi në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe mbi këtë bazë do të diskutojmë edhe me Ministrinë e Ambientit në mënyrë që së bashku edhe me kompanitë e pastrimit ta arrijmë një zgjidhje afatgjate”, ka theksuar ai.
Për këtë çështje KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, por gjatë ditës zyrtarët e saj nuk janë përgjigjur.