Me prezantimin e një hulumtimi lidhur me shërbimet publike për shëndetin mendor, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social shënoi Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. U kërkua nga institucionet që të fokusohen në fuqizimin individual e ekonomik të personave të prekur nga sëmundjet mendore. Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë folën për përparimet e arritura që nga paslufta
Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, të martën u organizuan ngjarje të ndryshme, ku u vu theksi në përparimin, por edhe nevojat sa i përket trajtimit të personave me çrregullime mendore.
Shoqata e Psikologëve e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan Kongres Ndërkombëtar me temën “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”. Në të, neuropsikiatri Ferid Agani foli për rritjen e numrit të profesionistëve në vitet pas luftës.
“Prej tre psikologëve para 23 viteve, sot kemi me siguri më shumë se 1000 psikologë në fushë...Unë e them më kënaqësi të madhe sepse në bazë të Planit Strategjik për Shëndetin Mendor është themeluar një sistem i tërë plotësisht i ri i shërbimeve të shëndetit mendor, që nuk ka ekzistuar në Kosovë para luftës”, tha Agani.
E Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka publikuar hulumtimin për shërbimet publike të shëndetit mendor. U tha se shërbimet e shëndetit mendor duhet të kenë bazë në komunitet dhe se trajtimi i pavullnetshëm paraqet një formë të dhunës.
Shegë Bahtiri, njëra nga hartueset e hulumtimit, dha edhe rekomandime.
“Theksi në shëndetin mendor në Kosovës është ma shumë te trajtimi psikofarmakologjik, do të thotë një përdorues i shërbimeve, e merr shërbimin në formë të barnave ose të terapisë. Mirëpo, aspekti i fuqizimit ekonomik dhe individual është i lënë anash edhe pse është njëra nga kompetencat kryesore të sistemit”, tha Bahtiri.
Dita Botërore e Shëndetit Mendor shënohet çdo tetor që prej vitit 1992.