Përfaqësues të shoqërisë civile në Podujevë e konsiderojnë të vonuar themelimin e këshillave të lagjeve dhe fshatrave në këtë komunë. Sipas tyre, themelimi i tyre do t’u mundësonte qytetarëve më shumë qasje në vendimmarrje. Duke përmendur arsyet e kësaj vonese, ata kanë thënë se rrëzimi i komisionit përkatës nga Ministria ka qenë njëra ndër to. Ndërkaq, zyrtarë komunalë shprehën besimin se gjatë muajit mars do të fillojë procesi i zgjedhjes së këshillave
Përfaqësues të shoqërisë civile në Podujevë vlerësojnë se është vonuar procesi i themelimit të këshillave të fshatrave dhe lagjeve në këtë Komunë. Ata kërkojnë nga ekzekutivi komunal që sa më parë të fillojë ky proces, pasi këta këshilla, sipas tyre, do t’u mundësonin qytetarëve më shumë qasje në vendimmarrje.
Rexhep Zeka nga organizata “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, ka thënë se këshillat e bëjnë edhe më të lehtë organizimin e dëgjimeve publike, e sidomos ato për buxhetin, që në disa raste në të kaluarën kanë dështuar.
“Kuvendi Komunal i Podujevës e dimë që e ka miratuar këtë rregullore dhe në të njëjtën kohë e ka përzgjedhur një komision i cili është kthyer si jo i ligjshëm. Kjo e ka vonuar pothuajse dy muaj ditë këtë pjesë të marrjes së vendimit për një komision. Tashmë e kemi komisionin, është marrë edhe vendimi i ligjshëm nga ministria përkatëse dhe krejt çka pritet është të fillohet puna për përzgjedhjen e këshillave të fshatrave në terren, duke pasur parasysh se përzgjedhja e këshillave të fshatrave është një gjë shumë e rëndësishme, sepse e lidh qytetarin drejtpërdrejt në vendimmarrje”, ka thënë Zeka.
Ai ka kërkuar nga ky komision që sa më parë të fillojë themelimin e këshillave të lagjeve dhe fshatrave të Podujevës.
Zyrtarët komunalë e arsyetojnë vonesën me pritjen e përgjigjes nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësimin e ligjshmërisë së Komisionit, i cili do të bëjë themelimin e këshillave të lagjeve dhe fshatrave të Podujevës.
“Pas hartimit dhe miratimit të Rregullores për funksionalizimin e këshillave të fshatrave, Kuvendi Komunal e ka formuar Komisionin me pjesëtarë të të gjitha partive politike si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Ky komision edhe do të punojë në terren për funksionalizimin e këshillave të fshatrave. Pasi është marrë ky vendim, ka shkuar vendimi për vlerësim të ligjshmërisë nga ana e MAPL-së, e cila e ka kthyer si vendim të ligjshëm dhe pas kësaj ne i kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe tashmë mbetet që ditëve në vijim edhe të fillojë puna në terren”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës.
Ai ka shprehur besimin se brenda muajit mars do të fillojë edhe puna në terren nga ana e komisionit komunal për funksionalizimin e këtyre këshillave.
Në anën tjetër, përveç vonesës, Rexhep Zeka sheh edhe sfida të tjera për themelimin e këtyre këshillave.
“Natyrisht, Udhëzimi Administrativ e ka paraparë që të bëhen disa fshatra në një këshill. Ndoshta kjo do të jetë edhe sfidë, po besoj, jo e pakalueshme. Ndoshta sfidë tjetër, që ne bëjmë thirrje që të marrin pjesë sa më shumë gra dhe vajza të Komunës së Podujevës, të përfshihen në vendimmarrje në këshill, duke pasur parasysh se edhe vetë rregullorja e thotë që duhet të jetë e përfshirë edhe gjinia femërore në këshilla”, ka theksuar Zeka.
Aktualisht këshillat e lagjeve dhe fshatrave në Komunën e Podujevës funksionojnë me kryetarë të emëruar para shumë vjetësh. Edhe kur ka vdekur ndonjë përfaqësues i fshatit, ka raste që “postin” e ka trashëguar djali i tij.