Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 103 vota për ka miratuar propozimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ku ai vetë do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa ish-presidentja Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës së deputetëve. Osmani gjithashtu do të jetë edhe kandidate për presidente.
Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku ka thënë se nesër në orën 18:00 do të bëhet edhe ceremonia formale e bashkimit me Osmanit. Ndërsa bëri të ditur se asaj do t’i takojnë 20 emra në listën e LDK-së. Abdixhiku ka theksuar se në këto zgjedhje ka qenë e nevojshme edhe një kandidaturë për presidente, pasi sipas tij, vendi shkoi në zgjedhje pikërisht për këtë çështje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i LDK-së ka thënë se deri të martën, kur edhe përfundon afati për dorëzimin e listave për deputetë, do të përpiqet t’i bashkojë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e listës, përfshirë ish-ministrin Agim Veliu.
Rikthimi i Osmanit në LDK vjen pas një periudhe të gjatë ndarjeje me partinë ku kishte ndërtuar karrierën e saj politike. Osmani ishte një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe kishte ushtruar disa funksione të rëndësishme, përfshirë atë të deputetes dhe ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçi në vitin 2020.
Përplasjet mes saj dhe strukturave të atëhershme të LDK-së u thelluan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në vitin 2021, Osmani garoi në zgjedhje në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke u distancuar plotësisht nga LDK-ja dhe duke formuar partinë e saj, Lista Guxo.
Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi këtë mandat deri në fund. Por moskandidimi i saj nga LVV-ja edhe për një mandat prishi raportet mes tyre.
Abdixhiku: Bashkimi i LDK-së, antidot i gjendjes ku ka rrëshqitur Kosova
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se bashkimi i partisë që drejton për zgjedhjet e 7 qershorit është “antidot” për gjendjen politike në të cilën, sipas tij, ka rrëshqitur Kosova. Ai ka konfirmuar se Kryesia e ka mbështetur propozimin e tij që bartëse e listës së LDK-së të jetë ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila njëkohësisht do t’u prezantohet qytetarëve edhe si kandidate për presidente. E Abdixhiku ka thënë se do të jetë kandidat për kryeministër.
Në deklarimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së ku do të vendoset përfundimisht për bashkimin me Osmanin, Abdixhiku ka thënë se procesi i bashkimit të LDK-së nuk ka të bëjë me interesa personale apo kalkulime elektorale, por me përgjegjësi politike ndaj shtetit. U zotua se do ta bashkojë të gjithë LDK-në.
“Askush nuk e ka luksin e hatërmbetjeve. Askush nuk ka të drejtë ta vendosë veten mbi nevojën që ka Republika për një LDK të fortë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se partia po synon të garojë me një listë të përbashkët në zgjedhje, duke e cilësuar këtë si përpjekje për rikthim të ekuilibrit institucional në vend.
Abdixhiku u shpreh se në këtë listë përfshihen figura që mund të kontribuojnë në stabilitetin politik.
Sipas tij, LDK-ja po del me kandidaturë për president pasi thelbi i krizës aktuale është pikërisht presidenti i ri.
“Kosova nuk po shkon në zgjedhje për mungesën e shumicës, për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Ky është thelbi i krizës sonë aktuale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm kush kërkon të qeverisë, por edhe kush kërkon ta përfaqësojë shtetin si presidente. Kanë të drejtë ta dinë pse prodhuan krizë këto zgjedhje. Para se të ketë qeveri të re, Kosova duhet të ketë president të ri. Përballë këtij realiteti, nuk mund të fshihemi. Duhet t’i japim qytetarëve qartësi politike që sot, t’i japim zgjidhje që sot dhe ta përcaktojnë me votë dhe t’i ndërprenë dëshirat e destabilizuesve. Po dalim para qytetarëve me ofertë të plotë”, shtoi Abdixhiku.
Ai kritikoi gjendjen e zgjatur të ushtruesve të detyrës në institucione, duke thënë se kjo situatë po dëmton funksionimin normal të shtetit.
Sipas tij, LDK-ja ka qenë konstruktive në proceset politike dhe ka ofruar zgjidhje për stabilitet institucional, por përballë saj ka pasur “një mendësi që nuk kërkonte zgjidhje”.
“LDK-ja mbajti qëndrim konstruktiv, ofroi alternativa dhe ishte e gatshme për marrëveshje politike”, ka potencuar ai, duke shtuar se partia e tij do të vazhdojë të synojë stabilitet dhe orientim perëndimor për vendin.
Abdixhiku pyetet për kthimin e Veliut: Të gjithë do t’i bëjmë bashkë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është përgjigjur shkurt kur është pyetur për rikthimin e ish-ministrit Agim Veliu.
Para hyrjes në sallën ku do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku u shpreh se “të gjithë do t’i bëjmë bashkë”, kur u pyet nga gazetarët nëse Veliu do të kthehet në parti.
LDK-ja do ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të vendosur për bashkimin me ish-presidenten Vjosa Osmani.