Arbëri

Këshilltarët e Trumpit u paguan mbi 1.6 milionë dollarë nga Partia Demokratike në Shqipëri

Chris LaCivita

Foto: Associated Press

Këshilltarët që kishin punuar për fushatat presidenciale të presidentit amerikan, Donald Trump, ishin paguar më shumë se 1.6 milionë dollarë për të ndihmuar Partinë Demokratike në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të majit, sipas një raporti financiar të dorëzuar të hënën, ka raportuar “New York Times”.

Në raport, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, PDK-ja zbuloi se ka paguar 1.62 milionë dollarë për kompaninë konsulente të Chris LaCivitas, që ndihmoi në fushatën e Trumpit më 2024, dhe 65 mijë për sondazhe nga firma e Tony Fabrizios, që këshilloi operimet politike të Trumpit.

Partia Demokratike megjithatë pësoi rëndë në maj, pavarësisht përpjekjeve të LaCivitas dhe Paul Manafortit, që udhëhoqi shkurt fushatën e Trumpit më 2016, që ta pozicionin Sali Berishën në stilin e Trumpit.

Pagesat, që u listuan në lekë shqiptare, u bënë për periudhën katërmujore, duke nisur nga shkurti e duke përfunduar në maj.

LaCivita punoi si pjesë e ekipit në Shqipëri bashkë me Fabrizion dhe Manafortin. Marrëveshja nënkupton se kompania e LaCivitas, “Advancinc Strategies”, mund të ketë nënkontraktuar Fabrizion dhe Manafortin, e cila është strukturë standarde për konsulentët e fushatave. Të gjithë kanë ofruar shërbime si ekip jashtë SHBA-së që nga fitorja e Trumpit vjeshtën e shkuar.

Konsulentët politikë amerikanë që kanë fituar garat në SHBA shpesh po kërkohen për fushata botërore dhe nuk konsiderohet e pazakontë që marrin pagesa të majme për shërbime jashtë shtetit.

LaCivita, që shpesh ka marrë pjesë në tubimet e Berishës, ka refuzuar të komentojë çështjen. Manaforti e Fabrizio s’kanë dhënë përgjigje.

LaCivita dhe Manaforti e paraqitën Berishën si viktimë të “gjuetisë së shtrigave” nga rivalët vendas, por edhe administrata e ish-presidentit Joe Biden apo miliarderi George Soros.

Vetë Berisha më 2021 ishte sanksionuar nga administrata Biden për korrupsion, sipas deklaratës së ish-sekretarit amerikan, Antony Blinken. SHBA-ja pati akuzuar Berishën për përvetësim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit për të pasuruar aleatët dhe familjen.

Pas humbjes përballë Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, LaCivita ka përsëritur qëndrimet e Berishës se zgjedhjet janë vjedhur.