Humbja e tokës bujqësore dhe zëvendësimi i saj me ndërtime të larta, është tema kryesore e cila trajtohet gjerësisht në numrin e veçantë të së dielës në Koha Ditore.
Në shkrimin kryesor mund të kuptoni se si bujqit po mbesin pa tokë. Sa prej kësaj toke humb çdo vit dhe sa hektarë më pak ka vendi, 20 vjet pas luftës?
Cili ishte roli i AKP-së në shkatërrimin e tokave bujqësore? Çfarë ndodhi me dhjetëra hektarë të pronës shoqërore bujqësore dhe çfarë keqpërdorime u bënë në emër të subvencioneve? Përgjigjet e këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera, jepen në temën kryesore të së dielës.
Inxhinieri bujqësor, Afrim Sharku, flet në intervistën e javës për moskoordinimin institucional, i cili, sipas tij, ka degraduar tokën bujqësore.
Reportazhi i kushtohet ekonomisë së tezgave dhe importit të produkteve bujqësore, derisa mijëra hektarë tokë mbesin pa u punuar.
Për fshatin që ndahet me mur, mund të lexoni më shumë në faqet e botës.
“Zgjimi i shqiptarëve” vjen në fejton, ku tregohen virtytet dhe mangësitë e tyre, kufijtë e Shqipërisë dhe shpërnguljet e popullatës.
Këtë javë vjen reportazhi për Zagrebin, kryeqytetin kroat i cili gjendet në udhëkryq ndërmjet historisë dhe së ardhmes.
Portretet në mozaikë prej druri të artistit Nagip Tashi, shfaqen në rubrikën e kulturës.
Monumenti sjell Arsim Kamberin, i cili nuk ka përfunduar shkollë arti, por punimet e tij në dru janë konkurrencë e fortë për skulptorë e piktorë.
Dy nga faqet e sportit i kushtohen futbollistit Imran Bunjakut, që ia solli fitoren e parë Kosovës në ndeshje zyrtare miqësore para pesë vjetësh.
Përveç këtyre, mund të lexoni edhe një numër shkrimesh tjera interesante nga vendi e bota.