Debat i gjatë e me kritika ndaj njëra-tjetrës është zhvilluar në Kuvendin Komunal të Podujevës mes pushtetit dhe opozitës lidhur me çështjen e ndarjes së bursave për nxënës dhe studentë. Nga partitë opozitare është kërkuar nga Prokuroria të nisë hetimet, ndërsa i është rekomanduar pushtetit që bursat të ndahen për të gjithë aplikuesit që përmbushin kriteret e konkursit.
“Në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020, qytetarët votuan për një kauzë të proklamuar si ndryshim, që përfaqësohet nga njerzit e njëjtë, por të rreshtuar në një subjekt tjetër. Kjo kauzë triumfoi dhe Lidhja Demokratike me kulturën më të lartë politike bëri pranim-dorëzimin e udhëheqjes komunale, duke u bërë shembull në të gjithë vendin se si trashëgohen përgjegjësitë”, ka thënë asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adnan Zymeri, duke kritikuar mënyrën e qeverisë së re në shëndetësi, administratë e bujqësi. “Siç e dimë të gjithë, teknologjia e ka bërë shumë të lehtë jetën e secilit nga ne, por e ka bërë të lehtë edhe me pa kënd po e shpërblen pushteti. Mjafton një kërkim në Facebook i emrave të përzgjedhurve në konkurset e Drejtorisë së Arsimit dhe shfaqen si rrufeja personat me foto të profilit ‘krejt dhe drejt’. Ka raste kur edhe i mbyllin llogaritë, por pak ka rëndësi, në Podujevë të gjithë njihemi. Për më keq se kaq, ndodh që pa fije konkursi të prezantohen njerëz me petk partiak në vendin e punës duke u bërë hisedar të normës tënde veç pse ti mendon ndryshe”.
Këshilltari i LDK-së ka kritikuar edhe mënyrën e zgjedhjes së drejtorëve në shkolla.
Ditë më parë Komuna e Podujevës publikoi listën e përfituesve të bursës për nxënës dhe studentë dhe përfitues janë vetëm ata nxënës e studentë që janë me aftësi të kufizuar, që nuk e kanë njërin prind dhe ata me asistencë sociale. Komuna e arsyetoi vendimin me buxhetin e vogël.
Zymeri ka thënë të mos jetë kundër përfitimit të bursës nga personat me nevoja të veçanta, nxënës e studentë pa njërin prind dhe tyre me asistencë sociale.
“Por këto kategori trajtohen nga dikastere të tjera të qeverisjes lokale dhe qendrore dhe në forma tjera, jo me bursë. Në këtë proces gjen edhe përfitues nga e njëjta familje, presion pastaj për t’u larguar nga lista, duke ju kërkuar të japim deklarata që po tërhiqen në të kundërtën nuk do të mund të jenë më përfitues dhe akrobacione të ngjashme amatoreske. Sikur mos të mjaftonte kjo, në sqarim thuhet se për shkak të buxhetit ka qenë e pamundur të ndahen bursa për më shumë student. Atëherë si ka qenë e mundur të ndahen 3 bursa për një familje?”, ka thënë ai.
Kritika ka dhënë edhe këshilltari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rafet Llapashtica. Sipas tij, problemet në arsim po vazhdojnë edhe në politizimin edhe në punësim.
“Në një të kaluar ke qenë me një kryetar (drejtori i Arsimit, Avni Fetahu v.j.) që nuk të ka vet hiç. Tash je me një kryetar që nuk e di qysh ke me u marrë vesh. Qysh ti drejtor si profesor, p.sh. në Shkollën ‘Naim Frashëri’ e zgjedh drejtor me 180 kredi e eliminon dikë me 300? Ai i ka kryer studimet në fakultet privat e ky tjetri me master edhe në UP”, është shprehur Rafet Llapashtica. “Në shkollën ‘Enver Maloku’ e di që Ligji të obligon që drejtor nuk mundesh me emërua dikë që është në 3 vitet e fundit në parti politike. Qysh e ke emëruar dikë që është kryetar nëndege (i LDK-së v.j.). Pse nuk e heq atë drejtor? Keni akuzuar rrugëve e trotuareve se këta po abuzojnë me pushtetin...Në shkollën ‘Isa Boletini’ ke punësuar pa konkurs. Të ishe kanë në LDK hiç çudi nuk më kish ardh”.
Këshilltari i PDK-së ka thënë se në një rast drejtori i një shkolle nuk ia jep çelësin punëtorit të bibliotekës, teksa ka akuzuar pushtetin se ka pasur interferime politike në ndarjen e bursave.
Vendimin për dhënie të bursa të paligjshëm e ka quajtur edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti.
“Për shkak të shkeljeve procedurale ka prodhuar një akt të paligjshëm. Veprimi në fjalë nuk është në pajtim me ligjin në fuqi. Askush në këtë seancë nuk është kundër të ndihmohen rastet sociale. Nuk ke të drejt, as komisioni t’i jep diçka dikujt përveç atë se çfarë kërkohet me ligj. Jemi dëshmitarë se përveç shkeljeve, përfitues të bursave i kemi deri në 15 raste të të njëjtës familje. Nuk e di si nuk iu keni dhënë bursë studentëve të drejtimeve deficitare. Nuk e di si nuk iu keni dhënë bursë një studenti të Mjekësisë”, është shprehur Ajeti.
Ai ka pyetur se cila ka qenë arsyeja e vendimit të KK-së që 200 mijë euro të ndahen për kabinete.
“Këtu shihet se ka shkelje dhe abuzim. Ka për vepër penale dhe e ftojë edhe Prokurorinë të hetojë mënyrën e dhënies së këtyre bursave. Kur keni qenë në opozitë jeni bërë ujk e tash jeni bërë dele. Ta marrim vetëm konkursin e fundit dhe bindeni edhe vetë se jo vetëm nuk e keni respektuar kriteret, por keni marrë militantë politikë. Shkeljet e juaja kanë vazhduar edhe për drejtor e zv.drejtor. Në disa shkolla keni pasur edhe nga 3-4 veta që i kanë plotësuar kushtet për drejtorë dhe ju prapë i keni lënë ato pozita vakante”, ka vazhduar ai.
Ndërkohë, këshilltari i VV-së, Ragip Fetahu, ka thënë se krejt degradimi i sektorit të arsimit është meritë e LDK-së.
“Na falni! Më këtë frazë do të duhej të niste fjalimi i LDK-së. Na falni, sepse 20 vite kemi menaxhuar me sistemin e arsimit! Na falni sepse 20 vite kemi degraduar. Na falni sepse 20 vite kemi punësuar drejtorë politikë! Dhe na falni sepse e kemi sjellë Arsimin në këtë gjendje ku është! Këtë do të duhej ta bënte patjetër, në vend se të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për gjëra politike”, ka thënë Ragip Fetahu. “Sepse seancë të jashtëzakonshme mund të thërrasim për kushtet e rënda nëpër shkolla, për bullizmin, për dhunën në shkolla, mund të thërrasim për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë pandemisë, por jo të thërrasim për gjëra që janë të planifikuara. Drejtori në fjalë nuk prodhon para, nuk është fabrikë. Këto mjete janë ndarë nga ju kolegë të LDK-së. E dimë që kemi zgjedhje, por kjo nuk duhet të bartet për nxehje gjakrash”, ka thënë Fetahu.
Ai ka thënë se sa ka qenë në shkollë të mesme asnjëherë pushteti i LDK-së nuk është gjetur pranë.
Në anën tjetër, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, ka thënë se seanca është thirrur përkundër që ka qenë e planifikuar si seancë e rregullt për javën që vjen.
“Shihet që thirrësit e seancës duan ta përdorin politikisht këtë seancë. Pikërisht këta që e kanë iniciuar seancën, kur kanë qenë në pushtet pak kanë folur për arsim, edhe kur unë kam qenë shef i Grupit të këshilltarëve të LDK-së. Mirë është që ata nuk ndihen të frikësuar si më parë. E tash një opozitë e sotshme, me një theks të veçantë ish-partia ime që për një vit i ndau 146 mijë e 40 euro në vit zgjedhor, e njëjta i ka planifikuar 50 mijë euro për këtë vit”, ka thënë Fetahu. “Lista e bursave përkundër faktit që nuk kemi pas mundësi t’i ndihmojmë të gjithë, ne kemi vendosur për ato kategori: për persona me nevoja të veçanta, ata pa njërin prindër dhe me asistencë sociale. Dhe të cilët nuk janë aq të dobët siç po e thoni ju këtu. Ata studentë janë për fat të mirë me nota të larta, dhe kur iu kanë shtuar edhe 20 pikë atëherë është bërë edhe diferenca. Pse nuk insistuat vitin e kaluar që t’i jepni atyre me nota të larta, pasi edhe ka pasur mjete më shumë?”, ka pyetur drejtori për Arsim teksa është arsyetuar përsëri se shkurtimi i buxhetit ka bërë që të ndahen më pak bursa.
Sa i përket drejtorit në Shkollën “Naim Frashëri” ai ka thënë se është një nga kuadrot më të përgatitura për drejtor në Arsim me të gjitha përgatitjet.
Edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se e kanë pas një buxhet dy herë më të vogël se në vitin paraprak.
“A ka pas vend për analizim më të mirë të atyre kritereve, unë them se po. Dhe po të analizoheshin më mirë ato kritere dhe me u mbështet në ato mundësi buxhetore, them se nuk kishin lind këto fjalime. Sepse as ne si VV nuk jemi më patriotë se ju, sikurse as ju nuk mund të jeni më të ndjeshëm në këtë aspekt”, ka thënë Bulliqi. “Meqë nuk janë analizuar mirë dhe pat lëshime në ato kritere, Drejtoria e Arsimit erdhi në atë situatë që me atë shumë parash, edhe ne kemi mundësi sikur ju që kemi vepruar në vitin e kaluar me ua dhanë nga 20 euro bursë ose nxënësve, ose studentëve, që besoj kish dalë qesharake dhe të gjithë kishin me na sharë. Dhe meqë e kemi atë buxhet, komisioni rekomandoi që të ndihmohen tri kategoritë. Në ato tri kategori ka pasur edhe gabime disa të qëllimshme e disa të paqëllimshme”.
Ndërsa, inicuesi i seancës, Adnan Zymeri, ka thënë se në bashkëpunim me LDK rekomandojnë që të gjithë nxënësve dhe studentëve që i kanë plotësuar kriteret e konkursit të jenë përfitues të bursës. Këtë e kanë cilësuar si politike nga Vetëvendosje. Rekomandimi është hedhur në votim dhe ka marrë shumicën e votave.