Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Klinika e Alergologjisë s’pranon të marrë teste donacion, edhe pse i mungojnë tash e dy vjet

Administrata Qendrore

Një donacion prej 50 testeve për diagnostikimin e alergjive inhalatore dhe ushqimore, i ofruar për Klinikën e Alergologjisë në QKUK, nuk është pranuar, ndonëse kjo klinikë përballet me mungesë të tyre tash e më shumë se dy vjet. Kompania që ka dashur ta bëjë këtë donacion ka shprehur vullnetin që nga viti i kaluar

Klinika e Alergologjisë nuk e ka pranuar një donacion me teste për alergji inhalatore dhe ushqimore, ndonëse ato mungojnë në këtë klinikë tash e më shumë se dy vjet.

KOHA ka raportuar disa herë për dështimin e procedurave të tenderimit, të cilat nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë përmendur si arsye kryesore për mungesën e testeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në e-mailet që ka siguruar KOHA, dëshmohet se një kompani që ka kërkuar të mbetet anonime, ka ofruar donacion prej rreth 50 testesh për Klinikën e Alergologjisë.

“Donacioni do të përfshijë teste për testim të IgE specifike për alergji inhalatore, ushqimore dhe pediatrike, të prodhuara nga kompania gjermane, distributor të së cilës jemi në Kosovë, e cila është e njohur globalisht për diagnostikimin në fushën e alergjive dhe jo vetëm. Këto kite janë të destinuara për të mbështetur punën e klinikës në ofrimin e shërbimeve cilësore diagnostikuese, duke përfshirë edhe moshat pediatrike. Mendojmë që ky donacion do të shërbejë si ndihmesë në kontinuitetin e testimeve pranë Klinikës së Alergologjisë, duke pasur parasysh tenderimet e dështuara dhe mungesën e testimeve nga kjo klinikë”, thuhet në e-mailin e kompanisë drejtuar QKUK-së.

Kjo kompani që nga viti i kaluar i është drejtuar QKUK-së me kërkesën për të realizuar donacionin.

E nga Divizioni i Donacioneve në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, sipas e-maileve, kompanisë i janë kërkuar dokumentet përkatëse dhe është njoftuar se për këtë po pritet konfirmimi nga drejtoresha e Klinikës së Alergologjisë.

“Në ndërkohë që Dr. Bardha, si drejtoreshë e Klinikës së Alergologjisë, na dërgon konfirmimin e pranimit të donacionit, të lutem të m’i përcjellësh dokumentet e listuara me poshtë: një profaturë, të plotësohet, nënshkruhet dhe vuloset lista e bashkëngjitur (varësisht nga specifikimi i donacionit për pajisje dhe produkte) CoA ose CE (varësisht nga specifikimi i donacionit për pajisje dhe produkte) DUD-in nëse artikujt janë brenda territorit të Kosovës. Të gjitha dokumentet mund t’i dërgosh përmes emailit dhe siç të kam shpjeguar në takimin tonë, pas aprovimit nga MSh-ja dhe AKPM-ja, dakordohemi për kohën e liferimit”, thuhet në e-mailin e SHSKUK-së dretjuar kompanisë.

Nga kjo kompani, në një përgjigje për KOHËN, kanë thënë se kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, por nuk kanë marrë më përgjigje. Po ashtu i janë drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë kërkesë, por as nga ajo nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkohë, testet për alergji inhalatore dhe ushqimore mund të kryhen vetëm në klinika private, ku kostoja tejkalon 100-euroshin.

Pacientët që drejtohen në ambulancën specialistike të Alergologjisë, fillimisht detyrohen t’i kryejnë analizat në sektorin privat, për t’u kthyer më pas për trajtim në këtë klinikë.