Arbëri

Klinika Infektive nuk ka më shtretër për të prekurit me koronavirus

Në Klinikën Infektive, ku po trajtohen vetëm pacientët me COVID-19, nuk ka mbetur asnjë shtrat i lirë.

Të gjithë shtretërit e kësaj klinike janë të mbushur me pacientë, gjendja e të cilëve nuk është e mirë, pasi që 70 për qind e tyre po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Oborri i Infektives tashmë është bërë destinacion i pothuajse të gjitha autoambulancave të të gjitha komunave të Kosovës, e që gjatë së mërkurës alarmet e tyre ishin shumë të shpeshta.

Infektologu Izet Sadiku thotë se ditëve të fundit është rritur dukshëm numri i personave që po kërkojnë ndihmë spitalore. Ai shton se kapacitetet e klinikës janë duke shkuar drejt fundit dhe se kjo është shqetësuese, sepse, siç thotë ai, ekziston frika e përballjes me një tjetër valë të këtij virusi.

“Kapacitetet gjatë ditës do të mbushen dhe s’do të kemi vend në Klinikën Infektive dhe numri i rasteve të reja është i rritur, vetëm në pranim kemi mbi 150 raste dhe janë raste të rënda për shkak se një pjesë e tyre shkojnë te mjeku familjar dhe pas përkeqësimit të tyre vijnë në QKUK”, është shprehur ai.

Përveç Klinikës Infektive, edhe objekti i Pulmologjisë dhe ai i Mjekësisë Sportive tash e sa muaj janë duke trajtuar pacientët me COVID-19.

Edhe gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar numër i lartë i të vdekurve dhe i të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 6 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, duke e çuar totalin në 1.674.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 2 raste (78, 62 vjeç), Drenas 1 rast (65 vjeç), Gjilan 1 rast (86 vjeç), Lipjan 1 rast (64 vjeç) dhe Prishtinë 1 rast (77 vjeç)”, shkruan në raportin e IKSHPK-së.

Derisa, nga 2.888 mostra të testuara në laboratorin e IKSHPK-së dhe në ata privatë, 529 persona kanë rezultuar pozitivë. Numri i përgjithshëm i rasteve deri më tani ka shkuar në 74.748, derisa në raport është treguar se këtu janë përfshirë edhe shifra të dy laboratorëve privatë, e që kanë raportuar rastet me vonesë.

“Numri total i rasteve pozitive është 74.748 nga 341.443 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.674 raste të vdekjes (janë përfshirë testimet RT-PCR dhe rastet e raportuara me vonesë nga laboratori privat Avicena KS nga data 27.02 - 07.03.2021 - 2.559 teste RT-PCR dhe 72 raste pozitive dhe laboratori Olive nga data 05.03-07-03.2021 - 873 teste RT-PCR dhe 68 raste pozitive)”, shkruan në raportin e IKSHPK-së.

Ndërkohë infektologu, Sadiku tha se Kosova duhet ta ketë prioritet sigurimin e vaksinës dhe se do të duhej të ndiqte shembullin e shteteve të tjera për çështjen e masave anti-COVID.

“Vetë numrat dhe veprimet që bëjnë shtetet e tjera na tregojnë që ne kemi hyrë në vitin që konsiderohet që do t’i jepet hapësirë vaksinës dhe me qëllim që t’i jepet hapësirë vaksinës do të duhej me qenë shumë të kujdesshëm për mos të lejuar rritjen e numrave” ka shtuar ai, duke përsëritur se janë duke u rrezikuar kapacitetet e klinikave spitalore, si shkak i përhapjes së shpejtë të varianteve të reja të virusit.

Kosova vazhdon të jetë në mesin e shteteve të pakta që ende nuk ka filluar vaksinimin, derisa nga krerët institucionalë vazhdimisht po premtohet se vaksinimi do të fillojë në mars.

Javën e kaluar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thanë se kanë marrë konfirmim nga mekanizmi COVAX, që dozat e para do të arrijnë gjatë muajit mars e të tjerat gjatë prillit.

Po ashtu, Kosova ende nuk ka filluar as me testimin e mostrave për variantet e reja, derisa 3 raste janë konfirmuar me variantin britanik, pas dërgimit të mostrave në një laborator jashtë vendit.

Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, ka thënë për KOHËN se brenda 10 ditëve mund të fillojë testimi i varianteve në laboratorin e këtij instituti.

Sipas tij, ky institucion tashmë ka filluar procedurat e blerjes së testeve.