Po ndez sirenën si shenjë paralajmëruese që veturat t’ia lirojnë rrugën që të mund të kalojë.
Por kjo ishte e kotë për disa minuta. Për shkak të kolonës dhe rrugës së ngushtë, veturat para autoambulancës nuk kishin hapësirë lëvizëse.
Kolonat në Prishtinë, vazhdojnë të mbesin ndër sfidat më të mëdha për shërbimet e ndihmës së shpejtë.
Policia e Kosovës thotë se dy javët e fundit, kolonat janë shtuar edhe më shumë në kryeqytet, duke ndryshuar kështu edhe orët kulmore të tollovive.
Sipas mbikëqyrësit të trafikut në kryeqytet nga policia, Arsim Gollubovci, punimet në rrugën “Holger Pedersen” e kanë stërngarkuar Veternikun.
“Kolonat kanë filluar këto dy javë që po ka më shumë, dhe koha e ngarkesës ka ndryshuar me kohën e më hershme ku koha e pikut ka qenë nga 16:00 deri në 17:00, ndërsa këto dy-tre javët e fundit ka ndryshuar dhe kolonat po vazhdojnë deri në orën 18:00-19:00. Kjo është për shkak të ngarkesës dhe bllokimit të disa rrugëve që janë duke u punuar, siç është rruga “Holgen Pederesen”, na ka krijuar një kolonë të gjatë për shkak të daljes së qytetit. Po ashtu kemi probleme te Qendra e Klinikës Universitare, nuk e di nëse është problemi tek hyrjet, pasi kanë filluar pagesat në forma fizike”, tha Gollubovci.
Ai thotë se përveç punimeve, vendkalimet afër rrethrrotullimeve po shkaktojnë tollovi.
“Është një pengesë te dy rrathët këtu, ku është një vendkalim i këmbësorëve dhe e shfrytëzojnë shumë drejtimi i Ferizajt, i Lipjanit, dhe problematika është dalja e këmbësorëve aty dhe krijon kolona të gjata. Një ndër problemet që i kemi edhe te hyrja tek “Bill Clinton”, është hapur shkolla UBT dhe gjitha studentët e frekuentojnë vendkalimin aty. Të gjitha hyrjet e qyteteve na shkaktojnë komunikacion neve”, tha Gollubovci.
Policia thotë se ka bërë kërkesë që edhe pritoret e autobusëve të largohen nga vendet afër rrethrrotuillimeve, pasi edhe ata po janë ndër faktorët kyç të shtimit të kolonave.
Qytetarët thonë se Prishtina po bllokohet edhe kur nuk ka teste të unazës qendrore.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se TaskForca është duke punuar në këtë drejtim dhe shumë shpejt pritet të dalin me rekomandime.
Ai tregon se cilat janë pikat kyç që po krijojnë kolona në rrugët e Prishtinës.
Sipas policisë, për të shkarkuar qytetin, shpeshherë po detyrohen të bllokojnë rrugët e magjistrales.