Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni Evropian pret njoftim formal nga Kosova për ratifikim të marrëveshjeve për të kryer pagesat nga Plani i Rritjes

Komisioni Evropian

Komisioni Evropian është shprehur se tash, pasi Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjet për kredi dhe mjete me BE-në, Kosova është kualifikuar për të marrë pagesën e parë në formën e parafinancimit nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Por Komisioni pret për këtë edhe komunikimin formal nga ana e Kosovës e pastaj do të konstatojë përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe atyre specifike për të kryer pagesën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Tash, pasi marrëveshjet e lidhura me mjetet dhe reformat janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë mjetet e parafinancimit”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

“Kur këto ligje të hyjnë në fuqi zyrtarisht dhe kur t’i komunikohen Komisionit, dhe nëse janë përmbushur kushtet e përgjithshme dhe ato specifike, pagesat e fondeve nga Plani i Rritjes mund të bëhen”, thotë ky zëdhënës.

Ndër kushtet e përgjithshme për pagesat nga ky fond janë ato që kanë të bëjnë me stabilitetin makroekonomik, menaxhimin e duhur të financave publike dhe transparencën në mbikëqyrjen e buxhetit. Ndërsa për Kosovën, sikur edhe për Serbinë, ekzistojnë edhe kushte specifike që kanë të bëjnë me angazhimin konstruktiv në normalizimin e raporteve.

Para se të bëhet cilado pagesë nga Plani i Rritjes, Komisioni Evropian duhet të vlerësojë se këto kushte janë duke u përmbushur.

Kosova kishte bërë kërkesën për pagesën e mjeteve të parafinancimit që kap shumën deri në 7 për qind të mjeteve të përgjithshme të dedikuara asaj nga Plani i Rritjes. Por kjo pagesë deri më tash nuk ka mundur të kryhet nga Komisioni Evropian, pasi Kosova, në mungesë të Kuvendit funksional për më shumë se një vit, nuk ka mundur të ratifikojë marrëveshjet përkatëse. Tash, pasi këto marrëveshje janë ratifikuar, mund të pritet që së shpejti të pasojë edhe kjo pagesë. Ndërsa pagesat e tjera do të kryhen në bazë të programeve që do t’i paraqesë Kosova.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh për të gjitha vendet e rajonit për periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes. Mbi 250 milionë euro Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori, Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit nga kjo paketë.