Arbëri

Komuna “dembele”

Foto: Koha

Komuna e Fushë-Kosovës figuron e fundit për realizimin e projekteve kapitale gjatë vitit 2022, sipas një raporti të Institutit GAP. Vetëm 26 për qind të buxhetit e ka shpenzuar për këtë kategori investimesh. Derisa nga Komuna nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth çështjes, në opozitë kanë kritikuar autoritetet komunale dhe kanë theksuar nevojën për dhjetëfish më shumë buxhet për projekte kapitale

“Komunë dembele” e kualifikuan udhëheqjen në Fushë-Kosovë përfaqësues të dy subjekteve opozitare – PDK e LVV – pasi kjo komunë ka figuruar e fundit në infografikën e Institutit GAP për realizimin e projekteve kapitale më 2022, në nivel vendi.

Bazuar në këtë infografikë, që e pasqyron realizimin e buxhetit të paraparë për këto projekte, Fushë-Kosova del se ka jetësuar 26 përqindëshin e tij.

Nga kjo komunë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth arsyes së mosrealizimit të projekteve. E zyrtarët opozitarë e shprehën nevojën për dhjetëfish më shumë buxhet për projekte kapitale.

“Në arsyetimin e ekzekutivit kanë qenë si probleme të theksuara çështja e pandemisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit. Mirëpo me matjen e Institutit GAP, aty vërehet që pothuajse shumica e komunave kanë shkuar deri në 100 për qind të shpenzimit të buxhetit. Dhe kjo e nxjerr në pah një të pavërtetë që është arsyetuar komuna, për faktin që nëse pothuajse shumica e komunave kanë arritur 60, 70, 80 për qind, atëherë kjo dëshmon qartë që nuk ka qenë problem as pandemia e as Organi Shqyrtues i Prokurimit. Mirëpo, komunën tonë ka vite që e ka kapluar një dembeli dhe mospunë”, ka thënë Mirsad Qyqalla, shef i grupit të kuvendarëve të PDK-së.

Sipas tij, nuk qëndron arsyetimi i ekzekutivit se çështja e pandemisë dhe mungesa e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë ndikuar në realizimin e vogël të projekteve.

“Me matjen e Institutit GAP aty vërehet që pothuajse shumica e komunave kanë shkuar deri në 100 për qind të shpenzimit të buxhetit dhe kjo e nxjerr në pah një të pavërtetë që është arsyetuar komuna. Nëse pothuajse shumica e komunave kanë arritur 60, 70, 80 për qind, atëherë kjo dëshmon qartë që nuk ka qenë problem as pandemia e as Organi Shqyrtues i Prokurimit. Mirëpo, komunën tonë ka vite që e ka kapluar një dembeli”, ka theksuar Qyqalla. “Gjithmonë kritikat tona pretendon me i arsyetu t’u e zhvendosë fajësinë jo këtu jo atje, mirëpo kurrë në asnjë ditë me u çu dhe me vazhdu me punë e me i realizu projektet për të cilat ne mendojmë se janë mëse të nevojshme për qytetin tonë”.

Ndërkohë, shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Durim Hajra, ka thënë se nuk presin përmirësim në realizimin e projekteve kapitale as këtë vit. Sipas tij, sivjet ekzekutivi pritet të performojë edhe më dobët.

“Edhe në raportet e shumë organizatave, por edhe të Ministrisë së

Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Financave, Komuna e Fushë-Kosovës renditet e dyta (e para v.j.) për nga komunat të cilat nuk kanë arritur të shpenzojnë mjetet që janë të paraparë për investime kapitale. Në praktikë dhe terren e shohim që kërkesë dhe nevoja e qytetarëve janë të ketë më shumë investime”, ka thënë Hajra.

Sipas raportit të Institutit GAP, Komuna e Fushë-Kosovës qëndron më së dobëti për realizim projektesh më 2022, pas saj vjen Prishtina me 28 për qind, ndërkohë Ferizaj, është komuna e vetme në nivel vendi që ka shpenzuar 100 për qind të buxhetit të dedikuar për projekte kapitale.