Komuna e Malishevës ka shtyrë për dy ditë fillimin gjysmëvjetorit të dytë.
Në arsyetimin e Drejtorisë së Arsimit thuhet se vendimi është marrë për shkak të përmbytjeve të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë.
“Duke u bazuar në reshjet e fundit gjatë vikendit të cilat e kanë rënduar situatën në terren përgjatë gjithë komunës sonë dhe kanë dëmtuar shumë rrugë dhe infrastrukturën rrugore, ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 do të bëhet me 14 janar 2026”, thuhet në njoftim.
Komuna e Malishevës ka qenë ndër komunat më të prekura nga vërshimet e fundit në vend.


Edhe Fushë-Kosova e shtyn fillimin e gjysmëvjetorit të dytë
Komuna e Fushë-Kosovës ka shtyrë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
Drejtoria për Arsim në këtë komunë ka njoftuar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë deri më datën 19.01.2026.
“Ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të shkaktuar nga kushtet atmosferike, ku reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar edhe qarkullimin. Si dhe duke marrë parasysh vështirësitë në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore. DKA ka vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit arsimor. Ky vendim është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor. Luten drejtuesit e institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit për këtë vendim”, thuhet në njoftim.