Lidhje Demokratike e Kosovës në Podujevë ka akuzuar pushtetin komunal se ka kryer pagesën në vlerë 171 mijë euro për ndërtimin e rrugës “Xhemajl Mustafa” pa u zhvillar asnjë procedurë e prokurimit dhe pa u zhvilluar punimet në të. E, zyrtarët komunalë thonë se kjo shumë e parave është bërë në emër të zgjerimit të rrugës “Skënderbeu” që është brenda këtij projketi, por me dy kode buxhetore
Dyshime për keqpërdorim të mjeteve nga ekzekutivi komunal ka ngritur partia opozitare në Podujevë, LDK. Këshilltari i saj, Qëndrim Softolli, ka thënë se bazuar në raportin financiar nëntëmujor, Komuna ka ekzekutuar një pagesë prej 171 mijë eurosh për rrugën “Xhemajl Mustafa”, ndërkohë, sipas tij, aty nuk është punuar asgjë.
Softolli ka theksuar se për këtë rrugë nuk janë zhvilluar as procedurat e prokurimit.
“Kemi të bëjmë edhe me rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ që ka qenë projekt për këtë vit e parashikuar për këtë vit me një buxhet me një vlerë prej 280 mijë eurosh për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës. Është bërë një pagesë prej 171 mijë eurosh pa asnjë procedurë të prokurimit, pa asnjë kontratë dhe nuk e dimë se çka ka ndodhur me atë shumë të parave”, ka thënë ai.
E, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, thotë se në bazë të memorandumit me Ministrinë e Infrastruturës projekti përfshin rrugën “Skënderbeu” dhe “Xhemajl Mustafa” me dy kode buxhetore. Sipas tij, këto mjete nga kodi i rrugës “Xhemajl Mustafa” janë shpenzuar për rrugën “Skënderbeu”.
“Për këtë vit e kemi pasë një kontratë për ndërtimin e pjesës së rrugës ku tani është rruga ‘Skënderbeu’ dhe kontrata ka qenë në vlerë afërsisht 1 milion e 300 mijë euro dhe për këtë projekt për punimet të cilat janë kryer në bazë të raporteve tenike të pranimit të rrugës janë ekuzekutuar pagesa afro 700 mijë euro për komplet rrugën e cila është punuar, në rrugën ‘Skënderbeu’”, ka thënë Osmani.
Këshilltari Qëndrim Softolli ka thënë gjithashtu se edhe në projektin e ndërtimit të Shkollës në fshatin Obrançë është kryer pagesa prej 100 mijë eurosh, ndërsa aty janë ngritur vetëm disa shtylla. Por, drejtori për Buxhet dhe Financa, thotë se pagesat për këtë projket janë kryer bazuar në raportin e menaxherit të kontratës dhe komisionit mbikëqyrës për realizimin e kontratës.