E pazbatueshme ka mbetur Kontrata Kolektive për punëtorët shëndetësorë në Komunën e Podujevës.
188 punonjës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë nuk po mund t’i realizojnë pagat jubilare që u takojnë sipas kësaj kontrate, çdo 10 vjet 1 pagë.
Kryetari i Sindikatës, Sheqir Maliqi, thotë se pushteti i kaluar nuk e ka zbatuar vendimin e formës së prerë të Inspektoratit të Punës për t’i paguar këto paga.
“I kemi shterrë rrugët e komunikimit. Unë iu kam drejtua Inspektoratit të punës në Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë. Shkalla e parë e ka krye, edhe shkalla e dytë me vendim të plotfuqishëm që është me dy vula katërkëndëshe: në njërën anë shkruan ekzekutiv dhe në anën e djathtë shkruan i panegociueshëm”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Podujevë, Sheqir Maliqi.
Maliqi shton se pas vendimit të Inspektoratit lëndën e kishte dërguar tek avokati, ndërsa ky i fundit te përmbaruesi.
Por zyrtarët komunalë të Podujevës ishin ankuar dhe, sipas tij, tash e një vit lënda është në Gjykatën Themelore të Prishtinës - Dega në Podujevë.
“Ne nuk po mundemi me i gëzua të drejtën tonë legjitime për shkak të neglizhencës, se ajo është shumë e qartë. Edhe ligji i punës e thotë çdo 10 vjet një pagë. Kjo është shumë qartë, nuk ka çka gjykohet aty”, ka thënë Maliqi.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, në një përgjigje me shkrim ka thënë se arsyeja e mospagesës së pagave jubilare është mungesa e mjeteve financiare dhe mosplanifikimi buxhetor për këtë çështje.
“Për një pagë jubilare QKMF në Podujevë i ka 53 punëtorë, me dy paga jubilare janë gjithsej 83 punëtorë dhe me tri paga janë 50 punëtorë. Shuma e përgjithshme është 159.503.83. Arsyeja e mospagesës së pagave jubilare është mungesa e mjeteve financiare, andaj Komuna e ka të pamundur këtë vit të ndajë mjete buxhetore për t'i bërë pagesat e punëtorëve shëndetësorë dhe në këtë vit nuk ka të planifikuar në projekt buxhetin. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të tentojmë që t'i kryejmë obligimet buxhetore për punëtorët shëndetësorë për pagat jubilare. Por tash për tash e kemi të pamundur të realizohet një pagesë e tillë”, ka thënë ai.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nuk janë kundër pagave jubilare, por kundër marrjes së mjeteve nga buxhetet komunale për t’i paguar këto paga.
“Komunat në asnjë mënyrë nuk kanë faj këtu. Faji është te niveli qendror që nuk i ka paraparë këto mjete, nuk i ka paraparë me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Këtu është problemi i borxheve të kaluara, sepse për të ardhmen janë paraparë këto shpenzime, por për të kaluarën janë duke ua marrë paratë buxheteve komunale”, ka thënë Ibrahimi.
KOHA ka kërkuar përgjigje që nga dita e premte edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës rreth lëndës së punëtorëve shëndetësorë në Komunën e Podujevës për pagat jubilare, por ajo nuk është përgjigjur.