Zyrtarët komunalë të Podujevës nëpërmjet një konference për media janë sqaruar edhe njëherë për bursat për nxënës e studentë. Drejtori për Arsim, Avni Fetahu, ka thënë se për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe buxhetit të kufizuar prej 50 mijë eurove janë detyruar që bursa t'u ndajnë vetëm tri kategorive: atyre me asistencë sociale, personave me nevoja të veçanta dhe ata pa njërin prind.
“Siç e dini ne e kemi trashëguar një buxhet prej 50 mijë euro për bursa. Vitin e kaluar kanë qenë 150 mijë euro për bursa. Dhe me një numër aq të madh të aplikimeve 1818, komisioni është orientuar në tri kategori: rastet me asistencë sociale, pa njërin prind dhe ata me aftësi të kufizuar. Vetëm prej një shkolle siç është gjimnazi kanë aplikuar rreth 800 nxënës”, ka thënë Fetahu.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryetarja e komisionit, Makfirete Zeka.
“Për hir të numrit të madh të aplikimeve jemi detyruar që bursat t’i ndajmë për këto tri kategori. Ne u kërkojmë falje studentëve që i kemi diskriminuar dhe iu dëshirojmë suksese në të ardhmen. Për shkak të kushteve të nxënësve dhe studentëve jemi detyruar që t’i zgjedhim këto kategori. Nuk ka qenë lehtë. Unë i kisha pyetur nxënësit dhe studentët, se po të kishit vendosur ju si të do të vepronit?”, ky pyetur Zeka.
Ndërsa, drejtori për Arsim ka thënë se është rast i rrallë që të aplikojnë 1818 veta.
“150 studentë kanë dalë me notë mesatare 8.2. Dhe ne nuk kemi pas mundësi që t’u japim të gjithëve, rrjedhimisht nëse kishim shkuar vetëm me notë mesatare do t’i diskriminonim të tjerët. Edhe me konkurs, ata me social i kanë pasur 20 pikë që e ka rrit numrin e pikëve në total për ata nxënës dhe studentë”, ka thënë ai.
Drejtori Fetahu e ka mohuar se ka familjarë të zyrtarëve komunalë që janë përfitues të bursave. Sipas tij, edhe për rastet që i kanë evidentuar se kanë aplikuar më shumë se një person brenda një familje, do të hiqen dhe do të zëvendësohen me ata nxënës e studentë që i kanë sjellë më vonë certifikatën e vdekjes së prindit, apo dokumentin që është me asistencë sociale.
“Listën do ta revidojmë. Te ne kanë dalë 14 persona që janë të të njëjtës familje dhe të njëjtit me vetëdëshirë janë hequr prej listës. Nuk ka prej qytetit të Prishtinës, por ka fëmijë që regjistrohen në Prishtinë kur lindin, ndërsa vendbanimin e ka në Podujevë”, ka theksuar Avni Fetahu.
Sipas tij, nuk do të përsëritet konkursi, ndërkohë që të gjithë të pakënaqurit do të kenë të drejtë ankese. Ai gjithashtu ka thënë se tash janë në fazën e përgatitjes së Kornizës Afatmesme Buxhetore, ku do të kërkojnë rritjen e mjeteve për bursa dhe po ashtu ka thënë se do të hartojnë edhe një rregullore për bursa, që sipas tij, i ka munguar deri tash Komunës së Podujevës.
Rreth vendimit të këtyre bursave ka pasur vërejtje nga shoqëria civile në këtë komunë. Drejtori ekzekutiv i OJQ “Demokracia Fillon Këtu” (DFK), Shemsi Jashari, ka kërkuar që të anulohet ky vendim që ka përjashtuar nga gara nxënësit e studentët shembullorë.