Arbëri

Komuna e Podujevës ua ndërroi shkollat nxënësve që u zunë me narkotikë

Zyrtarë komunalë kanë konfirmuar se disa nxënës në shkollat e Podujevës janë zënë me narkotikë. Thonë se zbulimi është bërë në bashkëpunim me Policinë dhe se janë marrë masa ndaj tyre. Mirëpo, Policia mohon se më 2022 dhe në tre muajt e parë të këtij viti të ketë regjistruar ndonjë rast me narkotikë në shkolla. Raste të dhunës i ka numëruar disa

Komuna e Podujevës dhe Policia kanë përgjigje të kundërta nëse janë identifikuar raste të përdorimit të substancave narkotike nëpër shkolla.

Përderisa zyrtarët komunalë kanë konfirmuar këtë dukuri dhe janë shprehur të shqetësuar se ajo është prezente edhe te nxënësit fillorë, në Policinë e Kosovës kanë folur vetëm për raste të dhunës.

“Çështja e narkotikëve është një temë vërtet shqetësuese dhe është duke na preokupuar edhe neve si institucione lokale. Por, nuk është se po e prek vetëm Komunën e Podujevës, por siç kemi informata edhe në komuna të tjera është një dukuri e shprehur dhe veçanërisht më shqetësuese është kur kjo dukuri është e shprehur në shkollat tona dhe te fëmijët të cilët janë në moshë të mitur”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Sipas zëdhënësit të komunës, Fatri Zhitia, në bashkëpunim edhe me Policinë i kanë identifikuar disa raste dhe ndaj nxënësve, të cilët janë zënë me narkotikë, kanë marrë masa ndëshkuese, fillimisht duke i transferuar nëpër shkolla të tjera.

Por në Polici mohojnë çdo gjë që lidhet me narkotikët në shkolla, të paktën për vitin 2022 dhe tre muajt e parë të këtij viti. Në këtë institucion raportuan vetëm për raste të dhunës.

“Ju informojmë se gjatë vitit 2023 deri më tani kanë qenë të raportuara tri raste për vepër penale, sulm; dy prej tyre në shkolla të mesme të lartë dhe një në shkollë të mesme të ulët, ndërsa katër raste janë trajtuar për vepër penale, lëndim i lehtë trupor; tri raste kanë ndodhur në shkollën e mesme të ulët dhe një rast në shkollën e mesme të lartë, ku në këto raste kanë qenë pesë persona të lënduar”, ka thënë Policia rajonale e Prishtinës.

Po ashtu, sipas Policisë, gjatë vitit 2022 janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në shkollat e Podujevës dhe të gjitha janë proceduar në Prokurori.

Në dijeni për përdorimin e narkotikëve nëpër shkollat e Podujevës nuk është as kryetari i Këshillit të Prindërve në këtë komunë, Nazif Sheqa. Por thotë se nëse hasin në të tilla, do të ndërmarrin hapa që janë në kompetencë të këtij këshilli.