Arbëri

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës s’po e shohin të nevojshëm izolimin e lagjeve

Përhapja e koronavirusit në pesë lagje të kryeqytetit ka shtuar kërkesat për izolimin e tyre.

Katër anëtarë të një familjeje janë të infektuar në Lagjen e Spitalit, nga dy raste janë konfirmuar në Arbëri dhe Taukbahqe, kurse Lagja e Muhaxherëve dhe rruga “Haxhi Zeka” në pjesën e vjetër të qytetit kanë nga një rast pozitiv me virus, raporton KOHA.

Për ta shmangur mundësinë e përhapjes së pandemisë, disa qytetarë po kërkojnë që këto lagje të futen në karantinë.

Në komunë kanë thënë se deri nuk kanë pranuar kërkesë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për futjen e ndonjë lagjeje në karantinë.

Një masë të tillë, Drejtoria e Shëndetësisë aktualisht nuk e sheh të nevojshme.

Për izolimin e mundshëm nuk ka pranuar ndonjë propozim as Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa nuk dihet nëse IKSHPK-ja është duke shqyrtuar një masë të tillë pasi zyrtarët e saj kanë qenë të paqasshëm të shtunën.

Në anën tjetër, infektologët kërkojnë që masat në Prishtinë të trajtohen me kujdes të veçantë.

Katër nga të prekurit me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Sipas infektologut Sali Ahmeti, njëri prej tyre është në gjendje të rëndë, i dyti mesatarisht të rëndë, ndërsa dy të tjerët kanë shëndet të mirë.

As Komuna e Gjakovës, e cila deri më tani ka gjashtë të infektuar, nuk e sheh të arsyeshme futjen në karantinë.

Sipas drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, të gjithë të infektuarit kanë ardhur nga vende tjera dhe tani janë të izoluar.