Arbëri

Komuna i rrit pagat për punëtorët shëndetësorë që janë të angazhuar në projektin e “Caritasit”

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë që janë duke punuar në projektin e “Caritas Kosova” sipas një memorandumi që është duke vazhuar qe disa vjet në këtë komunë. Sipas propozimit të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kjo rritje bëhet për të harmonizuar pagat me punëtorët që kanë kontrata të rregullta dhe po ashtu për shkak të pandemisë COVID-19.

“Për shkak të pandemisë COVID-19 e cila është përhapur në botë dhe vendin tonë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e sheh të arsyeshme që punëtorëve shëndetësorë të cilët janë punësuar me projektin ‘Caritas’ dhe të cilët kanë kontribuar gjatë kësaj kohe të pandemisë, t’i bëhet nivelizimi-harmonizimi i përafërt i pagave. Këtu përfshihen mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës”, thuhet në kërkesën e DSHMS-së drejtuar Komitetit për Politikë dhe Financa dhe pastaj Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës.

Në propozim thuhet se punëtorët shëndetësorë-mjekë, infermierë dhe staf tjetër mbështetës të cilët punojnë në QKMF “Dr.Fatmir Krasniqi” në bazë të kontratës së lidhur me “Caritas Kosova”, mjekët paguhen me pagë mujore bruto 400 euro, infermierët dhe stafi tjerët mbështetës me pagë mujore 300 euro për punët të cilat i kryejnë sikurse mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës të cilët janë në lista të rregullta të pagave.

“Mirëpo pagat dallojnë nga të lartcekurit. Andaj shohim të arsyeshme që të bëhet harmonizimi-nivelizimi i përafërt i pagave për punëtorët shëndetësorë në ‘Caritas Kosova’ dhe atë: Mjekëve t’u rritet në shumën prej 150 euro për muaj, infermierëve, SISH dhe administratë prej 100 euro në muaj, sigurim, pastrues prej 50 euro në muaj dhe atë nga muaji janar 2021”, thuhet tutje në këtë propozim.

Sipas të njëjtit, paga e një mjeku me kontratë të rregullt është 611 euro bruto në muaj (ose 211 euro më shumë sesa ata që punojnë sipas marrëveshjes me “Caritas Kosova”), infermieri, SISH dhe vozitësit 422 euro (ose 122 euro më pak se në “Caritas”), pastruesit, sigurimi dhe të tjerët 360 euro (60 euro më pak).

Pas rritjes së pagave për punëtorët që punojnë sipas marrëveshjes ndërmjet “Caritas Kosova” dhe Komunës së Fushë-Kosovës, mjeku do të marrë pagë mujore prej 550 euro bruto, infermieri, SISH, administrata dhe vozitësit 400 euro, ndërsa pastruesit, sigurimi dhe të tjerët nga 350 euro. Shuma totale për një vit që i kushton Komunës vetëm për këtë rritje është 60mijë euro. Megjithatë, këto paga edhe tash janë më të ulëta sesa për punëtorët që kanë kontrata të rregullta.

Këshilltari i Partisë së Drejtësisë, Ali Ismaili, ka thënë se nuk është serioze dhënia e qindramijëra eurove për çdo vit, ndërkohë që mungon një raport nga ana e “Caritas Kosova”.

“Për 8 vite me radhe kemi kërkuar të na vjen një raport, sa punëtorë i kemi në shëndetësi, sa në administratë, nga sa paguhen. Dhe asnjëherë kjo nuk na ka ardhur. Nuk është në rregull kjo. Kemi kërkuar një përgjigje prej ‘Caritasi’. Po ia japim 700 mijë pa pas një raport. Nuk është serioze kjo”, ka thënë ai.

Ky propozim është miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës.

Për marrëveshjen e Komunës me “Caritas Kosova” ka pasur gjithnjë vërejtje nga këshilltarët opozitarë, si për mungesën e raporteve financiare nga kjo organizatë, por ashtu edhe për mungesë të transparencës në punësim e paga. Madje vërejtje kishte dhënë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Sipas një raporti të Auditorit për vitin 2018, zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës nuk iu kishin përmbajtur marrëveshjes me Organizatën “Caritas Kosova” për ngritjen e përkujdesit social, shtëpiak dhe ambulantor “Home Care 2018”.

Edhe pse kishte karakter shëndetësor e social, komunarët nga kjo marrëveshje kishin punësuar persona në administratë. E kjo sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka ndikuar që “Caritas Kosova” të mos e rrit numrin e punëtorëve siç ka qenë e paraparë në marrëveshje. ZKA-ja për dy vjet radhazi kishte dhënë vërejtje për këto marrëveshje që Komuna e Fushë-Kosovës ka disa vjet që i lidh me këtë organizatë. Madje në dhjetor të vitit 2018 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e kishte shpallë edhe të paligjshme marrëveshjen e Komunës së Fushë-Kosovës me Organizatën joqeveritare “Caritas Kosova” për ngritjen e përkujdesit social dhe shëndetësor. Komisioni për vlerësimit të përshtatshmërisë në shkresën e tij kishte kërkuar që ky vendim të shfuqizohet pasi konsideronte se është edhe jotransparent.

Komisioni në fjalë në bazë të nenit 7 të Rregullores (QRK) Nr. 01/2016 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave, kishte shqyrtuar vendimin e lartcekur dhe vlerësonte se me këtë marrëveshje të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit “Ngritja e përkujdesit social dhe shëndetësor” në Komunën e Fushë-Kosovës nuk është zbatuar Rregullorja MT-Nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.

“Nuk është zbatuar transparenca e kërkesës së publikimit për projektin, i mungon transparenca ashtu siç është cekur edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2018. Zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore është obligim i të gjitha organizatave buxhetore për zbatimin e drejtë, efikas dhe efektiv të parasë publike.

Ky vendim duhet të shfuqizohet sepse është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhej në shkresën e Komisionit për mbikëqyrjen e përshtatshmërisë së akteve të komunave të datës 06.12.2018.