Edhe 10 muaj pas hapjes së konkursit për specializantë të rinj nga Ministria e Shëndetësisë, kujdesi parësor shëndetësor vazhdon të përballet me mungesë të mjekëve. Kjo dhe fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova po u shkakton telashe të shumta komunave, derisa mjekët e paktë që kanë mbetur aty thonë se puna u është shumëfishuar dhe se fluksi i pacientëve për ta është i madh
Tash e gjashtë javë, karrigia dhe tavolina e dhomës që ofronte shërbime shëndetësore në fshatin Qëndresë të Komunës së Drenasit, nuk hyjnë fare në punë. Kjo për shkak se mjeku i vetëm që ishte këtu ka shkuar për ta përfunduar specializimin. Në këtë vend, ku momentalisht punojnë vetëm infermierët, marrin shërbime edhe banorë të pesë fshatrave të tjera. Komuna e Drenasit ka mbetur me vetëm 16 mjekë aktivë, nga 35 sa ishin muaj më parë. E kjo sipas drejtorit të QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi, po u shkakton probleme të shumta dhe radhë të gjata pacientësh.
“Është ngarkesë edhe për mjekët, edhe për pacientët se po u bie me prit”, ka thënë ai.
Me probleme të njëjta po përballet edhe sistemi shëndetësor në Komunën e Skenderajt. Emine Goxhuli, mjeke në QKMF në këtë komunë, thotë se janë duke u përballur me fluks të madh të pacientëve dhe se kjo shpesh për të po bëhet edhe stresuese.
“Përpara kemi qenë 30 mjekë tash jemi 15. Edhe pse jemi në konkurs e sipër, kjo ka ndikuar në zgjatjen e orarit ndodh që me pas nga 60 e 70 pacientë në ditë”, shprehet ajo.
Përveç konkursit të specializantëve të hapur nga Ministria e Shëndetësisë muaj më parë, kjo komunë sipas drejtorit të QKMF-së, Osman Veliu, po përballet edhe me largimin e mjekëve jashtë Kosovës.
“Ndarja e pakontrolluar dhe e paplanifikuar e specializimeve ka goditur rëndë, sepse në mënyrë të shpejtë kemi mbetur pa staf, tre kanë shkuar jashtë vendit, por kemi edhe të tjerë nga stafi mjekësor që janë duke pritur për të ikur në Gjermani”, thotë ai.
Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë thënë se kanë gjetur një zgjidhje për t’i ndihmuar komunat.
“Specializantët që kanë deklaruar që nuk kanë shumë angazhime është kërkuar që të angazhohen nëpër komuna, kërkesa është adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka gjetur përkrahje se një numër i tyre të kthehen dhe t’i ndihmojnë komunat për mjekësi familjare dhe t’u njihet stazhi i specializimit” ka treguar Ibrahimi.
Ai tutje ka thënë se me SHSKUK-në e MSh-në, janë dakorduar që specializantet e Klinikës Infektive, të Pulomolgjisë, Emergjencës e të Anesteziologjisë, për shkak të ngarkesës në klinikat COVID, të kursehen dhe të mos angazhohen në fushatën e planit kombëtar të vaksinimit e të cilët në të njëjtën kohë do shërbejnë edhe në ndihmë për mungesën e stafit nëpër komuna.
Konkursi për mbi një mijë specializantë të rinj është hapur në korrik të vitit të kaluar në kohën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Një konkurs i tillë ishte hapur pas rreth 4 vjetëve.
Ky konkurs u kritikua nga ministri i tanishëm, Arben Vitia, derisa nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje.