Arbëri

Komunës së Podujevës i kërkohet që sa më shpejt ta zgjedhë drejtorin e ri të QKMF-së

Vonesa në shpalljen e konkursit për drejtor të QKMF-së në Podujevë ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Sipas tyre, mungesa e drejtorit e pengon funksionimin normal të këtij institucioni dhe lë hapësirë për politizim të profesionistëve shëndetësorë. Ata kërkojnë që sa më shpejt të shpallet konkursi. Ndërkohë zyrtarët komunalë thonë se QKMF-ja po funksionon normalisht dhe se janë në procedurë për të shpallur konkursin për drejtor.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë ka mbetur pa drejtor prejse ka dhënë dorëheqje para një muaji Ymer Llugaliu.

Zyrtarët komunalë ende nuk e kanë shpallur konkursin për këtë pozitë e kjo ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Sipas tyre, mungesa e drejtorit e pengon funksionimin normal të këtij institucioni shëndetësor.

Shemsi Jashari nga rrjeti i OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, ka thënë se qeverisjen në Podujevë po e përcjell jostabiliteti në pozitat drejtuese.

“Mungesa e një drejtori i cili do të ishte i përkushtuar për të vendosur rend dhe rregull, për të evituar dhe eliminuar mangësitë që mund të jenë brenda sistemit pengon shumë, për shkak se asnjë drejtor që do të jetë si ushtrues i detyrës, asnjë zyrtar tjetër nuk mund të jetë efikas se sa një drejtor i cili është me emërim dhe me pozitë stabile brenda QKMF-së në njërën anë dhe në anën tjetër, ky proces e rrezikon, e jep mundësinë e politizimit të stafit civil, në këtë rast mjekëve dhe motrave që shërbejnë brenda QKMF-së”, ka thënë Jashari.

“Edhe në këtë rast në QKMF mungesa e drejtorit natyrisht që lë një zbrazëti dhe një mosfunksionim të mirë të asaj fushe. Ne natyrisht si shoqëri civile bëjmë thirrje që sa më shpejt të hapet konkursi për drejtor të QKMF-së dhe të vendoset një drejtor, i cili natyrisht do t’i kryejë punët”, ka thënë drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Adelina Stublla, ka thënë se QKMF-ja po funksion normalisht.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka mbetur pa drejtor për shkak të dorëheqjes së drejtorit paraprak që ka qenë. Tashti jemi edhe aty me të autorizuar të drejtorit prej 7.11.2022. Faktikisht punët po ecin mbarë, po ecin mirë. Të shohim tash në bazë të procedurave do të shpallim së shpejti konkursin edhe për Qendrën për Punë Sociale, po njëkohësisht edhe për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”, ka thënë Stublla.

Ymer Llugaliu, i cili ka qenë në krye të QKMF-së që nga dhjetori i vitit 2020, fillimisht si ushtrues detyre e nga marsi i vitit 2021 i zgjedhur me konkurs, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë qe një muaj. Në letrën dërguar zyrtarëve komunalë ka shkruar se dorëheqje ka dhënë për arsye personale e profesionale.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë theksuar se çdo zvarritje në këtë drejtim e dëmton funksionimin e QKMF-së. Ata kanë bërë thirrje që sa më parë të shpallet konkursi dhe të zgjidhet drejtori i ri.