Arbëri

Komuniteti që riktheu kashtën e baltën në stil jetese në Bozhec të Kamenicës

Fshati Bozheci i Kamenicës, përveç që ka ndryshuar pamjen, është bërë edhe qendër në të cilin vijnë shumë të rinj nga e gjithë bota. Në këtë fshat me qëllim të ruajtjes së ambientit gjithçka është kthyer në natyrale. Banorët nga shumë vende të botës, aty kujdesen për veten, por edhe më shumë për mjedisin. “Në meny” ka vetëm ushqim vegjetarian e për disa edhe vegan. Në këtë pjesë të Bozhecit vijnë e shkojnë shumë vullnetarë përmes organizatës GAIA, e të cilët ndjekin trajnime për vullnetarizmin.

Ky grup aktivistësh kanë ardhur në Kosovë nga vende të ndryshme të Evropës, e dëshira për vullnetarizëm dhe kontributi mbi çështjet mjedisore i ka bashkuar në fshatin Bozhec të Kamenicës.

Francezi Alexander Cornet u vendos në këtë fshat me qëllimin për të qëndruar tetë muaj, por kaloi pesë vjet aty.

“Le të kthehemi pak në kohë. Kur erdha këtu, ishte e supozuar të qëndroja për 8 muaj, që u kthyen në një vit, dy, e më pas ndalova së bëri plane. Këtu ndihem i dobishëm dhe ndihem sikur mund të kontribuoj në një mënyrë të mirë për shoqërinë dhe natyrën, andaj në pesë vjetët e ardhshëm nuk e shoh veten duke lëvizur diku tjetër”, ka thënë Cornet.

Kur Alexander u vendos në këtë fshat, e gjeti oborrin krejtësisht më ndryshe. Objektet janë shtuar, e ato që ishin janë izoluar me baltë e kashtë.

Është intervenuar edhe në një kosh për ruajtjen e misrit. Mbi “themelet” e tij u ngrit një kasolle.

“Shtëpia ishte njëkateshe dhe me blloqe të kuqe. Ne së bashku e kemi izoluar atë me baltë dhe kashtë. I kemi vendosur edhe një kat përmbi, i cili është totalisht i ndërtuar nga përbërja e këtyre dy materialeve natyrale, ashtu siç kanë vepruar më të moshuarit tanë”, ka thënë Cornet.

E si Alexander, janë edhe dhjetëra banorë të tjerë, të cilët përmes organizatës GAIA, kanë krijuar marrëdhënie të reja, jo vetëm mes njëri-tjetrit, por edhe me natyrën.

Edhe çatitë e shtëpive janë më ndryshe. Disa prej tyre u mungojnë tjegullat, por janë të mbuluara në këtë formë me qëllim, siç thonë banorët, për të thithur më lehtë sasinë e ujit të krijuar nga reshjet e shiut.

GAIA organizon dhe dërgon vullnetarë në projekte afatshkurtra, të njohura zakonisht si “kampe pune” dhe projekte vullnetare afatgjate përmes programeve të ndryshme.

Një projekt vullnetar afatshkurtër është një formë unike e vullnetarizmit, duke bashkuar njerëz nga vende, kultura dhe prejardhje të ndryshme për të jetuar e punuar së bashku me komunitetet lokale për një periudhë prej dy deri në tri javë.

Një nga vullnetarët që ka marrë pjesë në një projekt në Kroaci është Edon Çitaku nga Mitrovica.

Ai ishte në cilësinë e vullnetarit për nëntë muaj në një park të arinjve në Kroaci, e tashmë është kthyer në Kosovë dhe është bërë mentor i të rinjve.

“Këtu në Bozhec është qëllimi jetesa në mënyrë të thjeshtë, d.m.th. duke ia filluar prej ushqimit, ndërtimit, është ndërtim natyral, pastaj edhe ushqimi është gjithçka ose vegjetarian ose vegan. Mundohemi ta ruajnë sa më shumë ambientin. Kjo është arsyeja kryesore pse këta ndodhen këtu, është ruajtja e ambientit edhe ‘me i nguc’ pak ato problemet mjedisore që janë. Për shembull, këtu përdoren panele solare, përdoren drunjt shumë, nuk përdoret çimentoja ose ndonjë material që e ndot ambientin”, ka thënë Çitaku.

Kjo është krejt çfarë mund të thoshte në shqip Marina Saavedra. Ajo është nga Spanja e në nëntor erdhi për herë të dytë në Kosovë. E ka quajtur frymëzues dhe inspirues qëndrimin në këtë fshat të Kamenicës.

“Arsyeja që kam ardhur këtë herë është që të fitoj më shumë kompetenca në aftësitë për të qenë koordinatore, një koordinatore vullnetare, sepse ëndërroj të kem një vend ku qëndroj dhe punoj me njerëz të tjerë. Dhe të ndaj pasionin tim që është kryesisht natyra me njerëzit e tjerë”, ka thënë Saavedra.

E Dhurata Berisha, njëra prej trajnerëve të programit të GAIA-s, thekson se pjesë e rëndësishme e trajnimit është edhe solidariteti e edukimi joformal.

“Një fokus shumë i madh i këtij trajnimi që e kemi është për të reflektuar. Për të reflektuar për punën e vullnetarizmit, për punën vullnetare që ne bëjmë këtu. Do të thotë, nëse jemi shumë aktivë duke bërë gjatë gjithë kohës aktivitete e gjëra të tjera, në këtë trajnim kemi vendosur që të bëjmë një hap prapa. Për t’u ndalur dhe për të reflektuar. Se çka jemi duke bërë në komunitet. Qysh mundemi të punojmë më mirë në komunitetin tonë, edhe qysh lidhen këto role mes vete”, ka thënë Berisha.

Përveç në Bozhec, vullnetarë të GAIA-s ka edhe në Mitrovicë. Ku përmes programeve të ndryshme synohet të thyhen disa barriera në shoqëri.