Glauk Konjufca, i propozuar i Lëvizjes Vetëvevendosje për mandatar për formimin e Qeverisë, ka thënë se nuk synon bashkëqeverisje me parti të tjera në koalicion. Megjithatë, ai ka thënë se pret që të marrë mbështetje nga deputetët e partive të tjera për të formuar qeveri për të shmangur zgjedhje të reja në dhjetor e për të miratuar buxhetin e vitit 2026.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, në të cilën Konjufca u propozua për mandatar, ai ka thënë se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni me parti të tjera.
“Unë mendoj se ky nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni. Ideja është të krijojmë një qeveri të re për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë parlamentare për të mundur që Kosova ta ketë buxhetin 2026. Nëse këto nuk bëhen, nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe pikërisht për këtë LVV-ja më propozoi si mandatar sot. Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës”, ka thënë ai.
Sipas Konjufcës, po që se nuk merr mbështetje, atëherë Kosova mund t’i ketë pesë palë zgjedhje brenda një viti.
“Për t’i shmangur këto, kështu e definova pse është interes publik të shtetit të Kosovës, sepse ta keni parasysh se kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është i sigurt se një parlament i ardhshëm mund ta zgjidhë dhe prapë mund të kemi zgjedhje. Për të shmangur dy palë zgjedhje, maturia shtetërore në këto rrethana dhe moment është që të kemi një qeveri së paku deri atëherë. Kjo do ta përfshinte edhe buxhetin. Nevojitet konsensus i të gjitha forcave. Besoj se do të reflektojnë dhe do ta kemi bashkëpunimin pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin, që të shmangen zgjedhjet në dhjetor dhe votimi i buxhetit”, ka thënë ai. “Në planin ndërkombëtar është Plani i Rritjes. Rrezikojmë ta humbim afatin. Qindra miliona euro presin. Do ta kërkoj bashkëpunimin, por jo për qeveri me koalicione, por t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duam”.