Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e Glauk Konjufcës si mandatar të dytë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e Glauk Konjufcës si mandatar të dytë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Konjufca u propozua të martën në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Emri i tij propozohet pas dështimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që të dielën e shkuar t’i siguronte votat për t’u bërë kryeministër. Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. 

Kurti për koalicionet: Nuk shoh më as mundësi teorike

1 muaj më parë / 4 nën 2025 18:44
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as mundësi teorike për bashkëpunim me partitë e tjera për shkak të atmosferës së intoksikuar. Tutje, ai u shpreh se ndaj tij është ndërtuar urrejtje hibride nga disa elementë të opozitës, ndërsa shtoi se tash e kanë mundësinë ta votojnë dikë që nuk është ai. 

“Nuk shoh as mundësi teorike për shkak të mosbashkëpunimit të tyre. Në këtë atmosferë të intoksikuar, nuk mund të shoh bashkëpunim. E kam provuar, me letra. Është ndërtuar urrejtje hibride ndaj meje nga disa elementë të opozitës. Tash nuk jam unë. Le ta dëshmojnë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak”, ka deklaruar Kurti.

Ai tutje u shpreh se për tentimin e dytë për formimin e qeverisë nuk është i domosdoshëm sigurimi paraprak i 61 nënshkrimeve të deputetëve, ashtu siç pretendoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Nuk është farë obligimi me i pas 61 nënshkrime te presidentja. Tentimi i dytë, përveç që është i drejtë, është edhe obligim për të evituar zgjedhjet e reja”, ka thënë Kurti gjatë konferencës për media të martën ku u prezantuan të gjeturat e Raportit të Progresit.

Ai shtoi se me mandatimin e Glauk Konjufcës për kryeministër qëllimi është që të shmanget vakumi institucional dhe të mundësohet miratimi i buxhetit të ri.

“Meqë opozita thotë se nuk e voton buxhetin me një qeveri në detyrë, atëherë le ta kemi një qeveri që nuk është më në detyrë, por e votuar në Kuvend, në mënyrë që të kalojmë buxhetin”, theksoi ai.

Kurti argumentoi se kërkesa për 61 nënshkrime nuk ka bazë ligjore, duke përmendur afatin 15-ditor që Kushtetuta e parasheh për tentimin e dytë.

“Po të ishin parakusht 61 nënshkrime, nuk do të kishte kuptim afati 15-ditor që ekziston për herën e dytë. Me 61 nënshkrime, mund ta kalonim po atë ditë. Sa vota janë saktësisht, merret vesh vetëm në seancë plenare”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, kjo është një mundësi unike për të formuar qeverinë e re dhe për të siguruar miratimin e buxhetit pa shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Haradinaj nuk i shkon në takim Osmanit

1 muaj më parë / 4 nën 2025 17:53
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk i ka shkuar në takim presidentes Vjosa Osmani të martën për shkak se ishte i angazhuar për garën e balotazhit.

Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se kishte propozim nga Osmani për takim, por Haradinaj nuk mund të ishte i pranishëm.

“Ka pasur propozim për takim, por kryetari Haradinaj gjatë ditës ka aktivitete në terren në kuadër të fushatës për balotazh”, ka thënë ai.

Me Osmanin më herët u takua edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku ia paraqet Osmanit qëndrimet e LDK-së lidhur me mandatarin e ri nga LVV-ja

1 muaj më parë / 4 nën 2025 17:44
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar presidenten Vjosa Osmani, pas propozimit të Glauk Konjufcës, si mandatar i ri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lajmin për takimin e tyre e ka konfirmuar për KOHËN e ka konfirmuar Besian Mustafa nga LDK-ja. Ai tha se Abdixhiku ka qenë në këtë takim për t’i paraqitur qëndrimet e LDK-së.

“Po ka qenë në takim, në lidhje me zhvillimet e fundit për të paraqitur qëndrimet e LDK’së”, tha Mustafa shkurt për KOHËN.

Paradite, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e quajti shfaqje teatrale të mandatarëve pa numra mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje ku u caktua Glauk Konjufca si mandatar i ri dhe si e tillë, sipas tij duhet të marrë fund.
 

Krasniqi-Osmanit: PDK-ja nuk e voton asnjë mandatar të LVV-së

1 muaj më parë / 4 nën 2025 17:18
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me presidenten Vjosa Osmani në lidhje me propozimin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje për mandatar,  Glauk Konjufcën.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu ka konfirmuar për KOHËN këtë takim dhe gjithashtu ka thënë se Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e PDK-së se nuk e votojnë asnjë mandatar të LVV-së.

“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

 

Konjufca kërkon votën e opozitës për kryeministër, por s’do koalicion me të

1 muaj më parë / 4 nën 2025 14:40
Glauk Konjufca

Glauk Konjufca, i propozuar i Lëvizjes Vetëvevendosje për mandatar për formimin e Qeverisë, ka thënë se nuk synon bashkëqeverisje me parti të tjera në koalicion. Megjithatë, ai ka thënë se pret që të marrë mbështetje nga deputetët e partive të tjera për të formuar qeveri për të shmangur zgjedhje të reja në dhjetor e për të miratuar buxhetin e vitit 2026.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, në të cilën Konjufca u propozua për mandatar, ai ka thënë se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni me parti të tjera.

“Unë mendoj se ky nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni. Ideja është të krijojmë një qeveri të re për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë parlamentare për të mundur që Kosova ta ketë buxhetin 2026. Nëse këto nuk bëhen, nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe pikërisht për këtë LVV-ja më propozoi si mandatar sot. Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës”, ka thënë ai.

Sipas Konjufcës, po që se nuk merr mbështetje, atëherë Kosova mund t’i ketë pesë palë zgjedhje brenda një viti.

“Për t’i shmangur këto, kështu e definova pse është interes publik të shtetit të Kosovës, sepse ta keni parasysh se kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është i sigurt se një parlament i ardhshëm mund ta zgjidhë dhe prapë mund të kemi zgjedhje. Për të shmangur dy palë zgjedhje, maturia shtetërore në këto rrethana dhe moment është që të kemi një qeveri së paku deri atëherë. Kjo do ta përfshinte edhe buxhetin. Nevojitet konsensus i të gjitha forcave. Besoj se do të reflektojnë dhe do ta kemi bashkëpunimin pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin, që të shmangen zgjedhjet në dhjetor dhe votimi i buxhetit”, ka thënë ai. “Në planin ndërkombëtar është Plani i Rritjes. Rrezikojmë ta humbim afatin. Qindra miliona euro presin. Do ta kërkoj bashkëpunimin, por jo për qeveri me koalicione, por t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duam”.

Basha: Ne e siguruam mandatarin, nuk e kemi luksin të shkojmë në zgjedhje

1 muaj më parë / 4 nën 2025 13:16
Dimal Basha në konferencë për media

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka thënë se vendi nuk e ka luksin të shkojë sërish në zgjedhje. Prandaj sipas tij, VV-ja ka siguruar mandatarin.

Ai e ka quajtur Glauk Konjufcën njeri me shumë vlera.

Tutje i ka bërë thirrje opozitës t’i thërrasë arsyes.

“Ne e kemi siguruar mandatarin, kjo ka rëndësi. Një njeri me shumë vlera siç është Glauk Konjufca. Arsyet siç edhe i përmendi janë të dyfishta, t’i ikim zgjedhjeve sepse ky popull nuk e ka luksin me shku në zgjedhje dy herë dhe e dyta kemi buxhetin e shtetit, kemi buxhetin e tri komunave dhe gjithashtu i kemi mbi 700 punonjës të RTK-së që i presin pagat e tyre. Opozita le t’i thërret arsyes”, ka thënë ai pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ku u vendos që Konjufca të jetë mandatar për kryeministër.

Konjufca pranon propozimin për mandatar: Të shmangen dy palë zgjedhje dhe të votohet buxheti

1 muaj më parë / 4 nën 2025 12:57
Glauk Konjufca

I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për mandatar për kryeministër, ka thënë se e pranon këtë propozim me qëllim që të shmangen dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që të votohet buxheti i vitit 2026.

“Më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm. Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave”, ka thënë ai.

Konjufca po ashtu ka lavdëruar kryetarin e VV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Dua të të siguroj diçka, që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh edhe më fuqishëm se në vitin 2021. Padyshim që ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë”, ka thënë ai. “Problemi i nderuari kryetar Albin është që aq sa e ke gëzuar popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitur shumë frikë te kundërshtarët e tu politikë që u bashkuan vetëm me një qëllim - të ta pamundësojnë krijimin e një qeverie për herë të tretë. Ama një gjë e dimë të gjithë, nuk ka forcë që e shkëputë apo e ndal lidhmërinë e popullit tanë me Lëvizjen Vetëvendosje”.

Konjufca ka thënë se tash është në duar të partive që të shmangin apo jo zgjedhjet e menjëhershme.

“Të gjithë jemi në llupën e popullit por mua më duket se shpata e gjykimit do të jetë më e mprehtë se më parë”, ka thënë ai.

VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër

1 muaj më parë / 4 nën 2025 12:37
Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.

Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.

Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.

“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend.

Sipas tij, pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet.

Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Konjufca tutje ka thënë “në çdo shtet serioz, opozita dhe pushteti arrijnë të ndërtojnë disa qëllime të përbashkëta për hir të interesit të përgjithshëm”.

“Ky është momenti në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurti: Kudo që VV-ja është në balotazh me PDK-në e LDK-në, këto të dyja po bëhen bashkë

1 muaj më parë / 4 nën 2025 12:36
Albin Kurti

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se VV-ja duhet të fitojë në të gjitha komunat ku është pjesë e balotazhit.

Ai ka thënë se kur të tjerët po bëhen bashkë për marrëveshje nën tavolina, fitorja e VV-së do të shumëfishohet.

Sipas tij, kudo që VV-ja është në balotazh me PDK-në dhe LDK-në, këto dy parti po bëhen bashkë për ta dëmtuar të parën. Kjo, ka thënë Kurti, po bëhet pa llogaritur e as bërë analizë për qeverisje.

Kurti ka thënë se këto dy parti janë  bërë bashkë edhe në kryeqytet por “nuk po tregojnë”.

“LVV-ja nuk ka bërë pazare me komuna duke kushtëzuar marrëveshje komunë me komunë. Kur jemi vetëm pesë ditë larg nga balotazhi, jemi intensivisht në terren, për koalicione të sinqerta. Secila votë është e rëndësishme”, ka vlerësuar Kurti.

Ai ka thënë se kur të tjerët po bëhen bashkë për marrëveshje nën tavolina, fitorja e VV-së do të shumëfishohet.

Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së

1 muaj më parë / 4 nën 2025 12:07
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur në selinë e kësaj partie në Prishtinë, disa orë para përfundimit të afatit për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e Qeverisë në përpjekjen e dytë.

Kryetari i Komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj ka thënë se LVV-ja e ka caktuar emrin e mandatarit dhe se ai është Albin Kurti.

“Nuk ka shumë nevojë për diskutim në këtë pikë, ne e kemi kandidatin për kryeministër. Në rregull jemi për atë pjesë ne vazhdojmë me procedurat tjera të brendshme dhe do të bëhemi gati për proceset tjera”, ka thënë ai.

Tutje ka shtuar se partia do të deklarohet pas mbledhjes.

Dy ditë kohë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje që të vendosë nëse do të provojë sërish për taformuar qeverinë me një kandidat tjetër për kryeministër apo do që vendi të shkojë në zgjedhje.

Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.