Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se gjatë takimit me homologen e tij sllovene, Urska Klakocar Zupançiq, ia ka shprehur shqetësimin për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë.
Në konferencën për media të mbajtur pas takimit, Konjufca ka thënë se nuk mund të flitet për fqinjësi të mirë dhe paqe pa u dënuar kryerësit e krimit në Banjskë të Zveçanit.
“Kosova është ende në pritje të përgjigjes për kërkesën e saj për anëtarësim në BE, duke qenë i vetmi vend në rajon që nuk e ka këtë status. Ja shpreha shqetësimin tonë për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar kryerësit e këtij krimi (vrasjes së Bunjakut). Falënderova zonjën Zupanciq që Sllovenia është në mesin e shteteve që është pro heqjes së masave ndaj Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Ai tutje ka folur edhe për tri kushtet e kryeministrit Albin Kurti të vendosura gjatë takimit të fundit të nivelit të lartë në Bruksel javën e kaluar.
Konjufca ka thënë se si institucione qëndrojnë të unifikuara sa i përket këtyre kushteve.
“Pikërisht për shkak të mosnënshkrimit, Serbia e ka marrë pozicionin që nuk i zbaton klauzolat e marrëveshjes. Z.Kurti e ka vendosur që të sqarohet më së pari nënshkrimi. E dyta, çështja e kryekriminelit të Banjskës, ai ndodhet i lirë në Serbi dhe vepra e tij në Serbi po trajtohet gati më e lehtë se sa të ishte ndonjë shkelje trafiku. Derisa ne ndodhemi këtu, një grup tjetër po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrohen po përgatiten për një sulm tjetër. Letra e Bërnabiqit është e papranueshme dhe kjo e ka fundosur, ia ka dhënë një goditje të fortë marrëveshjes”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari e ka quajtur shokuese deklaratën e Bashkimit Evropian se po presin nga Kosova raport për sulmin në Banjskë, teksa ka shtuar se Serbia favorizohet në procesin e dialogut.
“Favorizimi i padiskutueshëm i Serbisë në këtë proces si dhe vendosja e Kosovës në një pozicion të pafavorshëm, po them kështu se Kosova veprimet më të vogla që i ka marrë janë dënuar më ashpër prej BE-së ndonjëherë, edhe më shumë se sa që është dënuar sulmi i Banjskës. Edhe reagimi i fundit për ne ishte shokues, kur u tha se Kosova ende nuk ja ka dërguar asnjë raport për sulmin e Banjskës. Ka qenë gjithmonë një justifikim i Serbisë dhe relativizim i përgjegjësisë që e ka në destabilizim të rajonit”, ka thënë ai.
Zupançiq: Çështjet të zgjidhen përmes dialogut që të mos shohim situata si në Ukrainë
Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq, ka thënë se vizita e sotme e saj në Kosovë kontribuon në forcimin e mëtutjeshëm mes dy kuvendeve. Ajo ka shtuar se Sllovenia vazhdon ta mbështesë rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
“Dua të theksoj rëndësinë e diplomacisë parlamentare. Kjo vizitë kontribuon në forcimin e mëtutjeshëm mes dy kuvendeve. Kuvendi është i gatshëm që të ndajë eksperiencat e mira dhe me përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Sllovenia ka qenë shumë e shpejt në njohjen e pavarësisë së Kosovës ne e mbështesim rrugëtimet e juaj euroatlantik. Është mirë që vendet e treta të njohin të dyja shtetet se kështu ato janë në të njëjtin nivel. Është mirë që vendet e treta që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë këtë”, ka thënë ajo.
Zupançiqi ka folur edhe për veprimet e njëanshme të Serbisë, për të cilat ka thënë se nuk shihen mirë në sytë e komunitetit ndërkombëtar.
Ajo ka shtuar se problemet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes dialogut në mënyrë që situata mos të çojë në luftë sikurse në Ukrainë.
“Nëse nuk i zgjidhim gjërat përmes dialogut, atëherë shohim gjëra të këqija si në Ukrainë, sepse nuk i kushtojmë rëndësi situatave që çojnë te lufta. Unë dua që të shoh që autoritetet e Serbisë të tregojnë ndryshim, t'i ndryshojnë këndvështrimet e tyre dhe të jenë më të hapur”, ka thënë ajo.