Arbëri

Kontraktohet çereku i nevojave vjetore të ampulave që u sigurojnë jetë foshnjave

Një javë më parë, SHSKUK-ja ka kontraktuar një produkt që i nevojitet Klinikës së Neonatologjisë për trajtimin e papjekurisë së mushkërive te foshnjat e lindura para kohe. Sipas kontratës, do të sigurohen vetëm 50 njësi, derisa nevojat vjetore të Klinikës së Neonatologjisë janë së paku 240. Në klinikë thanë se përpos njësive të blera, llogarisin edhe në donacion

Vetëm 50 njësi të produktit Surfactant, për trajtimin e papjekurisë së mushkërive te foshnjat e lindura para kohe, do të sigurojë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar për Neonatologjinë, nëpërmjet kontraktimit të bërë një javë më parë, përderisa kësaj klinike, për nevoja vjetore, i duhen së paku 240 sosh.

Produkti është në mungesë që nga 1 qershori, e për pasojë prindërit detyrohen që ta blejnë atë me çmim që shkon deri në 800 euro.

Institucionet janë alarmuar për sigurimin e këtij produkti të listës esenciale, që për 14 vjet është siguruar në formë donacioni nga fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, pas rritjes së rasteve të lindjes së foshnjave para kohe, gjatë muajve të fundit.

Kur në qershor KOHA pati raportuar për mungesën e tij, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se prej dy javësh është iniciuar procedurë prokurimi, nëpërmjet marrëveshjes ndërkombëtare me UNICEF, për ta siguruar atë deri në stabilizim të situatës.

E teksa mungesa vazhdon, në Ministrinë e Shëndetësisë bënë të ditur se aktiviteti është anuluar me kërkesë të SHSKUK-së. Bazuar në përgjigjet e mëhershme nga kjo instancë, po të procedohej me aktivitetin, atëherë furnizimi do të mund të niste qysh nga java e shkuar.

“Ky aktiviteti me UNICEF-in, me kërkesë të SHSKUK-së, nuk është zbatuar”, i ka thënë KOHËS Naim Bardiqi, sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë.

Në Klinikën e Neonatologjisë thonë se shkaku i specifikacioneve në afatin e qëndrueshmërisë së produktit, furnizimi nëpërmjet UNICEF-it është lënë për një afat tjetër kohor, teksa shtuan se pritet që mungesat të plotësohen sërish me donacion.

“Në këtë vit, donatori, për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit, do të ketë vonesë në liferimin e produktit. Prandaj, Klinika ka planifikuar sasinë prej 50 flaconave, e cila sasi pastaj do të plotësohet edhe nga donacioni, i cili do të pranohet gjatë muajve në vijim. Vlen të theksohet se produkti është specifik dhe me afat të qëndrueshmërisë 1 vit e gjysmë, nga dita e prodhimit. Prandaj, konform këtyre predispozitave, kemi realizuar edhe planifikimin, duke shmangur mundësinë e grumbullimit të stoqeve dhe potencialisht skadimin e tyre”, ka thënë Hajrije Ismaili, drejtoreshë e Neonatologjisë.

Në SHSKUK nuk treguan se kur do të nisë furnizimi përmes kontraktimit.

Më 30 maj, Bordi i SHSKUK-së pati pranuar kërkesë nga Drejtoria e përgjithshme dhe nga Klinika e Neonatologjisë për sigurimin e rreth 240 ampulave për nevojat vjetore të klinikës. E vetëm për një periudhë njëmujore janë planifikuar nga 20 ampula.