Arbëri

Kontrata parasheh çmime më të lira për parkingun nëntokësor, 80 centë për një orë

Komunarët deklaruan disa herë se oborri i UP-së do të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Por me përfundimin e punimeve të “Parkingut Nëntokësor”, oborri i UP-së ka marrë një pamje krejt tjetër.

Pemë, ulëse e shëtitore që përngjajnë me një park, ky ishte edhe projekti i planifikuar kur është nënshkruar kontrata në vitin 2019, në kohën e qeverisjes së kryetarit Shpend Ahmeti.

Lokale afariste paralelisht me rrugën "George Bush" kjo është pamja e tanishme e kësaj hapësire.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë "Jaha&Pessima", ishte arritur marrëveshje që të mos ndërtohen lokale afariste mbi kuotën zero. E kuota zero, është paraparë të jetë në këndin afër udhëkryqit të rrugëve “Eqrem Çabej” dhe “George Bush”.

Për këtë ka reaguar edhe ish-nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, duke thënë se ky nuk ishte plani që është paraparë në fillim.

“Parkingu për mashallah. E patëm nis për parking nëntokësor, na paska dalë Shoping mbitokësor! E vetmja gjë që ishte paraparë mbi tokë, ishte një pllato ku do vendosej shtatorja e prof. Anton Çettës!” – ka shkruar Pacolli.

Pas përfundimit të Parkingut Nëntokësor, “Parking Center” ka dalë edhe me çmimoren, e cila nuk është pritur aspak mirë nga qytetarët.

Çmimi prej 15 eurosh për një ditë dhe 2.500 euro në vit, po konsiderohet si tejet i lartë.

Por kjo nuk ishte çmimorja e cila ishte paraparë në fillim.

Me kontratën e nënshkruar në korrik të vitit 2019, çmimi për një orë ishte paraparë të jetë 80 centë, përderisa për 2 orë 1.50 euro.

Ndërsa çmimi për 24 orë 10 euro dhe jo 15, siç është tani.

E sipas kontratës, ndryshimi i tarifave të rregulluara, kërkon pajtimin e palëve nënshkruese.

E pyetur nga KOHA, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer ndonjë përgjigje nëse është pajtuar për ndryshimin e këtij çmimi.

Përmes një komunikate për media, ata kanë thënë se në rastin e “Parkingut Nëntokësor”, Komuna e Prishtinës nuk është pronare e plotë, pasi kemi të bëjmë me partneritetin publiko-privat.

“Përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime. Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Gjithsesi, ata rekomandojnë qytetarët që të praktikojnë ecjen dhe transportin publik.

Ndryshe, “Parkingu Nëntokësor” është hapur që nga dita e premte, ku për 3 ditë rresht ishte pa pagesë. Ndërsa, nga e hëna, ai ka filluar operimin e rregullt me pagesë dhe më 28 nëntor pritet edhe hapja solemne e tij.