Stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe misioni i KFOR-it në Kosovë mbeten prioritet strategjik dhe janë lart në agjendën e kësaj aleance euroatlantike. Kjo është përfshirë në raportin vjetor për aktivitetet e NATO-s, të cilin të enjten në Bruksel e ka prezantuar Sekretari i Përgjithshëm i saj, Mark Rutte.
Edhe në këtë raport, mes tjerash, NATO shpreh mbështetje për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, një proces të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë raport thuhet se NATO, përmes misionit të KFOR-it në Kosovë, ka mandat për të siguruar një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në vend.
“NATO vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, posaçërisht përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është çelësi për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon”, thuhet në raportin vjetor të NATO-s.
Në këtë dokument, i cili analizon edhe rreziqet për sigurinë e Aleancës, Rusia përmendet si kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë.
“Rusia mbetet kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë në zonën euroatlantike. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të vërë në provë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktiviteteve kibernetike të dëmshme, apo ndërhyrjeve politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamatura, qoftë nga Rusia apo aktorë të tjerë, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare”, thuhet më tej.
Pikërisht ndjenja e rrezikut nga Rusia ka bërë që NATO të rrisë në mënyrë dramatike edhe investimet në mbrojtje. Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, ka përmendur shifrën prej 20 për qind, sa është rritur shpenzimi për mbrojtje në NATO, që sipas tij dëshmon se vendet anëtare janë në rrugë të mirë për të realizuar planin që investimet në mbrojtje të rriten në nivelin prej 5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Kjo ka qenë edhe kërkesë amerikane dhe për këtë është rënë dakord në samitin e fundit në Hagë të Holandës, në verën e vitit të kaluar.
Raporti vjetor tërheq megjithatë vërejtjen se, nëse Rusia vendos të sulmojë ndonjë vend të NATO-s, ekziston mundësia që të përqendrohet në infrastrukturën energjetike si cak i sulmeve. Por Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu tha se Aleanca është e gatshme të mbrojë secilin anëtar të saj.