Arbëri

Kosova do ta kërkojë heqjen e plotë të masave në Samitin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor

Vjosa OSmani - von der leyen

Heqjen e plotë të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do ta kërkojë presidentja Vjosa Osmani në Samitin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor që do të nisë të mërkurën në Bruksel.

Në këtë samit do të diskutohet partneriteti BE-Ballkan, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

“Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes të Kosovës. Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, u tha në një komunikatë nga Presidenca të martën pasdite.

E një ditë më parë, BE-ja nisi heqjen e disa masave sanksionuese ndaj Kosovës. Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur të martën se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, sipas së cilës Kosovës i janë hequr disa prej masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit. E Bislimi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.

Po ashtu pritet të diskutohet për sigurinë, mbrojtjen dhe përballjen me kërcënimet hibride e kibernetike si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.

Në këtë samit pritet që të miratohet një deklaratë. Sa i përket procesit të zgjerimit, autoritetet evropiane kanë bërë të qartë se vetëm Shqipëria e Mali i Zi kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në bllok.

E Kosovës kanë nisur t’i hiqen masat për shkak të transferit të pushtetit lokal në veri.