Pas fitores më të madhe ndonjëherë, Kosova po e kthen fokusin te ndeshja më e rëndësishme e saj në histori.
Futbollistët e Kosovës të enjten mbrëma fituan 4:3 në Bratislavë ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës. Dhe falë asaj fitoreje, “Dardanët” e kanë siguruar finalen e plejofit ndaj Turqisë, që zhvillohet të martën nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër Kosovën, kualifikimi në Botëror do të ishte sukses i jashtëzakonshëm. Diçka që shihej si ëndërr e largët, është bërë plotësisht e mundshme falë shpërthimit në vjeshtë dhe vazhdimit të shkëlqimit në Sllovaki.
Në vjeshtë, Kosova “lidhi” pesë ndeshje pa humbje për të përfunduar e dyta në “grup të vdekjes”, ku ishin edhe Zvicra, Sllovenia e Suedia. Vendi i dytë në grup ia siguroi plejofin. Dhe fitorja në Bratislavë solli ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror.
Turqia në gjysmëfinalen tjetër të plejofit fitoi 1:0 ndaj Rumanisë në Stamboll. Turqit kanë luajtur vetëm dy herë në Botëror, së fundi në vitin 2002. Në Kore të Jugut dhe Japoni, Turqia kishte përfunduar e treta. Por nuk u kualifikua më pas.
Kosova ka nisur me ndeshje kualifikuese vetëm një dekadë më parë dhe gati papritur, falë rritjes së madhe nën drejtimin e Franco Fodas, i është afruar në një fitore Botërorit.
Kualifikimi në Botëror vlerësohet se do t’i shërbente jashtëzakonisht shumë imazhit të vendit. Po ashtu vlerësohet se do ta dërgonte futbollin e Kosovës në nivel dukshëm më të lartë, ndërsa do t’i sillte FFK-së gati 10 milionë euro vetëm nga FIFA. Të hyrat e përgjithshme do të ishin dukshëm më të mëdha.
Edhe kualifikimi në plejof ka bërë që për Kosovën të shkruajnë mediumet më të mëdha botërore.
Në vend, interesimi për ndeshjen me Turqinë është i jashtëzakonshëm. Biletat janë shitur të martën, kur ende nuk dihej nëse ndeshja e 31 marsit do të ishte finale e plejofit apo miqësore. Megjithatë ata që i blenë biletat tani e kanë rastin të shohin ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës deri më tani.
Tashmë ka nisur ofrimi i biletave në treg të zi, me çmim dhjetëra herë më të lartë se ai zyrtar.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës janë të vetëdijshëm për interesimin e jashtëzakonshëm për ta parë ndeshjen në stadium. FFK-ja ka njoftuar se të martën do të ketë ekrane gjigante në sheshet e Prishtinës, përmes të cilave do të përcillet ndeshja.
“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që siguruan biletat për këtë ndeshje, edhe në një fazë kur ende nuk ishte e konfirmuar nëse do të bëhej fjalë për një finale apo një ndeshje miqësore, një dëshmi kjo e besimit dhe dashurisë së madhe ndaj ekipit dardan. Në të njëjtën kohë, shprehim keqardhje për pamundësinë që t’i përgjigjemi interesimit të jashtëzakonshëm të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të tij”, ka shkruar FFK-ja të premten.
Futbollistët e Kosovës të premten nuk kishin stërvitje të rregullt. Kishin seancë rikuperimi, ndërsa në fushë do të kthehen të shtunën, me synimin për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen që mund t’i dërgojë në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë.