Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova merr nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan, Sveçla: Nuk ka lidhje me zgjedhjet

Zveçan

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi në Zveçan se marrja nën kontroll e stacionit hekurudhor nuk ka të bëjë me fushatën zgjedhore, por me, siç tha ai, “zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës”.

Me praninë e disa ministrave në detyrë dhe asistimin e Policisë së rajonit të veriut, autoritetet e Kosovës morën të enjten nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë aksionit u largua mbishkrimi në alfabetin cirilik nga objekti dhe u vendos një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe flamuri i Kosovës.

I pyetur nga gazetarët nëse aksioni lidhej me fillimin e fushatës zgjedhore, Sveçla e mohoi një gjë të tillë.

“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që rendi dhe ligji të jenë të pranishëm kudo, përfshirë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Kjo është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë”, ka thënë Sveçla, transmeton "Kossev". 

Ai shtoi se çdo institucion që vlerësohet si “ilegal dhe paralel” do të jetë subjekt i veprimit të institucioneve kompetente.

I pyetur për të ardhmen e stacionit hekurudhor dhe mundësinë e funksionalizimit të tij, duke pasur parasysh se treni nuk qarkullon prej vitesh, Sveçla ka thënë se objekti është pjesë e një rrjeti më të gjerë hekurudhor.

“Absolutisht. Ky është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç ka deklaruar Ministria e Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projektit për rindërtimin e të gjithë rrjetit hekurudhor të Kosovës”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, bëri të ditur se pas marrjes nën kontroll të stacionit në Zveçan, planifikohet të ndërmerren veprime të ngjashme edhe në Leposaviq dhe Leshak.