Arbëri

Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye

HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer

Kosova ka nënshkruar kontratë me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General, për blerje të sistemeve moderne të artilerisë mobile “HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS)”. 
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. 

Maqedonci ka thënë se në kontratë përfshihen edhe automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtja dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje. 

“Me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta. Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka shkruar Maqedonci në Facebook. 

Për marrëveshjen ka njoftuar edhe AM General në faqen e saj zyrtare. Ka treguar se është dakorduar për një kontratë trevjeçare. 

“Jemi krenarë të njoftojmë për shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye te Ministria e Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e angazhimit tonë për të ofruar zgjidhje të përparuara për nevojat moderne ushtarake”, tha John Chadbourne, zëvendëspresident i përgjithshëm ekzekutiv i zhvillimit të biznesit te AM General. “Ky sistem mishëron qëndrueshmëri, shkathtësi dhe teknologji të përparuar, duke siguruar që forcat e armatosura të Kosovës të jenë të pajisura me mjetet më të mira për t’u mbrojtur. Ne mezi presim të vazhdojmë partneritetin tonë me subjekte mbrojtëse në të gjithë botën”. 

HUMVEE Hawkeye është i pajisur me “Teknologji të Zbrazjes së Butë”, që mundëson integrimin e një topi 105 mm në platformë të fortë dhe të provuar në automjetin e lehtë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit në më pak se 90 sekonda. 

Pos HUMVEE Hawkeyes, FSK-ja do të marrë gjithashtu ambulanca, kamionë komande dhe kontrolli, së bashku me kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë një bateri të tërë artilerie. 

Zakonisht duhet ekip i vogël 2-3 persona për përdorim të artilerisë. Mund të përdoret municion standard 105 mm i NATO-s. 

"Ushtrisë sonë do t’i shtohet edhe sistemi amerikan i artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer", ka shkruar kryeministri në detyrë Albin Kurti.