Kosova është përfshirë në Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI) të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), nismë kjo e formalizuar në vitin 2023.
Në një komunikatë për media të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), që ka njoftuar për këtë përfshirje thuhet se Kosova pati mbetur jashtë ECMI-së në mungesë të statusit të vendit kandidat për integrim në BE.
KCSF-ja ka vlerësuar se përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Ky zhvillim përbën një fitore për barazinë dhe integrimin e Kosovës në proceset evropiane, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim, përfaqësim dhe ndikim të shoqërisë civile kosovare në agjendën e BE-së”, thuhet në komunikatë.
KCSF-ja ka vlerësuar se ky është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të shoqërisë civile të Kosovës dhe rajonit duke treguar se zëri i shoqërisë civile, solidariteti dhe bashkëpunimi rajonal mund të sjellin ndryshime konkrete.
Sipas KCSF-së shoqëria civile e Kosovës tashmë do të ketë mundësi të kontribuojë drejtpërdrejt në debatet dhe politikat që formësojnë të ardhmen evropiane, krahas 27 vendeve anëtare të BE-së.
Kosova fillimisht kishte mbetur jashtë ECMI-së për shkak të kriterit të statusit formal të vendit kandidat.
Lidhur me këtë në prill të vitit 2024 KCSF-ja pati nisur një reagim në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian pasi që Kosova ishte vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE, që nuk përfshihej në këtë nismë, duke argumentuar se mungesa e statusit kandidat nuk duhet të jetë pengesë për përfshirje të Kosovës në këtë trupë.
“Duke e konsideruar këtë vendim të Komitetit si të gabuar dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, KCSF bashkë me përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe sindikatave nga Kosova më 24 maj 2024, zhvilluan takim me udhëheqës të EESC-së, ku është shprehur shqetësimi për mos-përfshirje të Kosovës dhe është kërkuar korrigjimi i këtij vendimi. Për më tepër, e njëjta kërkesë është përsëritur edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që u zhvillua në Bruksel nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian me 24 tetor 2024. Ndërkaq në nëntor të 2024-ës BCSDN, anëtare e së cilës është KCSF, kishte dorëzuar letër të nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian me kërkesën për përfshirjen e Kosovës ECMI”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatën e KCSF-së është sqaruar se çfarë është EESC.
“Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është trupë këshilluese e BE-së që nga 1957, që sjell zërin e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë të Evropës në politikëbërje. Përmes opinioneve të tij, ky komitet këshillon vendimmarrësit e BE-së dhe siguron dialog të strukturuar me publikun evropian. Me seli në Bruksel, EESC numëron 329 anëtarë nga 27 vendet anëtare të BE-së”, thuhet në komunikatë.
Aty thuhet se në shtator të vitit 2023, EESC lansoi Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI), e cila përfshin përfaqësues të OJQ-ve dhe partnerëve socialë nga vendet kandidate të BE-së në punën këshillimore të EESC. “Përmes ECMI, EESC synon të përgatisë dhe integrojë shtetet kandidate në Bashkimin Evropian edhe para anëtarësimit, duke u bërë pjesë e trupave formale të BE-së, duke marrë pjesë dhe kontribuar në diskutime që ndikojnë politikat e BE-së, duke nisur kështu integrimin e shoqërisë civile shumë para integrimit përfundimtar të shtetit”, thuhet në komunikatë.