Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova shpall “non grata” ministren serbe pas deklaratës fashiste

Snezhana Paunoviq

Kosova e ka shpallur persona non grata Snezana Paunoviq, ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Vendimi u mor pas deklaratës së Paunoviqit “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”. 

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjuha e Paunoviqit është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ai ka shtuar se një gjuhë e tillë duhet të dënohet ashpër nga të gjitha shtetet. 

“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar në njoftimin në Facebook. 

Sveçla ka shtuar se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës “do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.