Arbëri

Kosova u kërkon ndërkombëtarëve reagim ndaj “befasisë” së planifikuar të Serbisë

Objekti i Qeverisë / Ilustrim

Qeveria në detyrë e Kosovës e ka akuzuar Serbinë për vazhdimësinë e refuzimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në mes të të dyja shteteve në vitin 2023.

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, u shpreh se kanë përgatitur “befasi” në lidhje me çështjen e Kosovës, duke paralajmëruar fushatë për çnjohje.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, njëherësh kryenegociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se deklarimi i Gjuriqit kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës është një tjetër provë e radhës se Serbia po shkel haptazi nenin katër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

“Pas edhe takimeve të fundit në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, ky deklarim është tjetër provë e radhës e refuzimit të Serbisë të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit dhe shkeljes haptazi të nenit 4 të marrëveshjes. Serbia nuk është e gatshme dhe e vullnetshme të jetë bashkëpunuese dhe konstruktive në procesin e dialogut. Po faktori ndërkombëtar kur do ta marrë seriozisht dhe të veprojë ndaj këtij destruktiviteti në proces dhe refuzimi të vazhdueshëm të Serbisë?”, ka shkruar ai në Facebook.

Javën e kaluar në Bruksel është zhvilluar raundi i radhës i dialogut Kosovë–Serbi në nivel të kryenegociatorëve, por që palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të zbatuar ato pikat e marrëveshjes që i shohin të rëndësishme.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, të mërkurën në intervistë për një media në Serbi tha se "për Serbinë, anëtarësimi i Prishtinës në Kombet e Bashkuara është absolutisht i papranueshëm”.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe më pas për aneksin e Ohrit, mirëpo kjo ujdi ende nuk ka gjetur zbatim. Mirëpo, në dhjetor të vitit 2023, Serbia kishte dërguar letër në Bruksel ku kishte nënvizuar vijat e kuqe të kësaj ujdie për Serbinë, ndër to edhe njohja ndërkombëtare e Kosovës.

Në shkurt të vitit 2025, është emëruar emisar i ri për dialogun, diplomati danez Peter Sorensen. Ai gjatë këtij viti ka mbajtur disa takime në kuadër të dialogut, mirëpo nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

Në Bashkimin Evropian nuk kanë komentuar në lidhje me deklarimet e vazhdueshme të Serbisë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës./KP