Arbëri

Kosovarët thonë se një ditë feste si kjo s’e kanë përjetuar më parë

Të qeta, e me pak lëvizje të njerëzve ishin sheshet në Prishtinë gjatë së dielës.

Për dallim nga vitet e shkuara, qarkullimi në këtë pjesë të kryeqytetit ishte dukshëm më i vogël, shkaku i situatës me pandeminë Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ditë më parë u bënë thirrje qytetarëve që të mos lëvizin pa nevojë, e të mos ketë vizita familjare në ditën e festës së Bajramit.

Madje gjatë pasdites, vetëm një numër i vogël i kafeneve janë parë të hapura. Prapa kamerës pronarë të tyre kanë thënë se interesimi i qytetarëve ishte i vogël, raporton KOHA.

Ata pak qytetarë të cilët kishin dalë në qytet, thonë se kanë respektuar thirrjet e institucioneve dhe se kjo ditë e Bajramit krahasuar me vitet e kaluara, sipas tyre, është shumë më ndryshe.

Ndërkohë, të dielën është vërejtur prani e shtuar e policisë në rrugët e Kosovës. E gjithë kjo prani e policisë në ditën e festës së Fiter Bajramit po bëhet sipas një plani të gatishmërisë dhe reagimit kundër koronavirusit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka treguar se është hartuar një plan operativ policor e që ka për qëllim respektimin e vendimeve të institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë.