Mosrespektimi i afateve për rishikimin e bilancit energjetik ka thelluar përplasjet midis institucioneve të sektorit të energjisë. Derisa në ZRRE kërkuan shtyrjen e remonteve në blloqet e KEK-ut për ta shmangur rrezikun për furnizim me energji, në KOSTT ende nuk e kanë dorëzuar dokumentin e kërkuar, duke ngritur shqetësime për sigurinë energjetike në muajt me ngarkesë të lartë
KOSTT-i nuk e ka respektuar afatin që Zyra e Rregullatorit për Energji ia dha për dorëzimin e bilancit të rishikuar të energjisë për 2026-n, me vërejtjet për zhvendosjen e planifikimit të remonteve në KEK.
Më 30 janar, ZRRE-ja i kërkoi KOSTT-it që bilancin e rishikuar ta dorëzojë deri më 4 shkurt, porse KOHA mësoi që kjo ende nuk është bërë.
Sipas një komunikimi mes akterëve të sektorit të energjisë, e të cilin e posedon KOHA, ZRRE-ja një ditë më parë i kërkoi edhe një herë KOSTT-it ta dorëzojë këtë bilanc, duke i dhënë edhe një afat përfundimtar - më së largu deri të hënën.
KOSTT-it iu kërkua që, me gjithë mospajtimet nga KEK-u, remonti i planifikuar për në mars në njësinë B2 të zhvendoset në muajt prill-maj, si dhe të trajtohet edhe operimi i “Termokosit”, si faktor kyç për furnizim me ngrohje gjatë muajit mars.
ZRRE-ja, sipas komunikimit, e kërkoi gjithashtu rishikimin e projeksioneve të konsumit, duke e reflektuar rritjen e konsumit nga ana e KEDS-it dhe KESCO-s.
Siç mëson KOHA, KOSTT-i e dorëzoi një draft të rishikuar të bilancit të Energjisë më 30 janar, porse ai nuk qe i pranueshëm për ZRRE-në, meqë nuk i përfshiu vërejtjet e saj.
Në KOSTT nuk u përgjigjën gjatë së premtes në pyetjet nëse janë marrë parasysh kërkesat e ZRRE-së dhe nëse ka pasur diskutime me KEK-un për shtyrjen e investimeve në blloqe për një periudhë kur ka më pak ngarkesa në rrjet.
As në KEK, që prej dy ditësh, nuk u përgjigjën rreth planit të investimeve.
E ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thotë se do të sigurohet që KEK-u të ofrojë një bilanc energjetik më të favorshëm.
“Ne si Ministri po sigurohemi që KEK-u të ofrojë bilanc energjetik më të favorshëm për konsumatorët, për sivjet, duke optimizuar kohën e investimeve të domosdoshme në blloqe”, ka thënë Rizvanolli.
Një ditë më parë, KOHA raportoi se shkaku i remontit, KEK-u planifikon që në mars ta nxjerrë nga funksioni njësinë B2 të Termocentralit Kosova B, për 35 ditë.
Në këtë njësi, vitin e shkuar u investua në modernizim të turbinës, duke e rritur kapacitetin për 35 megavatë. E sipas draft-planit për 2026-n, të cilin KEK-u ia dorëzoi ZRRE-së, remonti në njësinë B2 planifikohet të bëhet nga 4 marsi deri më 7 prill.
Ndalja e prodhimit në këtë bllok nënkupton se Kosova do të ketë rreth 300 megavatë orë prodhim më pak, krahas mungesës prej 140 megavatësh orë të prodhimit nga njësia A5 e termocentralit “Kosova A”, e në të cilën po ashtu parashihet që investimet të fillojnë nga 14 shkurti deri më 5 maj.
Sipas planifikimeve të KEK-ut, tetë muaj jashtë funksionit do të jetë edhe njësia B1 e Termocentralit Kosova B. Investimet në të planifikohet të fillojnë nga 8 prilli e deri më 9 dhjetor, duke bërë që Kosova të ketë minus 250 megavatë orë energji gjatë kësaj periudhe.