Propagandë të rreme që për qëllim ka nxitjen e tensioneve ndëretnike e ka kualifikuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se vendimi për dinarin ka si qëllim spastrimin etnik të serbëve. Por, kritika që iu bë Qeverisë për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës nga shtetet që i konsideron aleatë, nga opozita dhe njohës të zhvillimeve u cilësua “shuplakë” për Kosovën
Kritika që iu bë Qeverisë nga aleatët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Rregulloren e re të Bankës Qendrore (BQK) me arsyen se serbët nuk u informuan për ndalimin e dinarit, është vlerësuar “shuplakë” për Kosovën.
Por në përballjen e parë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Këshill të Sigurimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur propagandë që rreme dramatizimin e Serbisë me dinarin. Sipas tij, kjo po bëhet me qëllimin e nxitjes së tensioneve ndëretnike.
“Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, tha Kurti në KS të OKB-së.
E Vuçiqi përmendi institucionet që i financon Serbia në Kosovë e të cilat preken nga rregullorja e BQK-së sipas së cilës, që nga 1 shkurti vetëm euro është valutë zyrtare në vend.
“Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, deklaroi Vuçiqi.
Megjithëse Kosovës iu njoh e drejta për vendosjen e ligjshmërisë në financa, përfaqësues të SHBA-së e Britanisë së Madhe e kritikuan qeverinë për moskoordinim dhe moskonsultim me komunitetin serb rreth rregullores.
Mungesa e koordinimit
Analisti Arbnor Sadiku thotë se seanca e së hënës ishte ndër të rralla kur aleatët nuk mundën t’ia bënin avokatin Kosovës.
“Edhe për bashkësinë ndërkombëtare është e vështirë që ta bëjë avokatin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kur Kosova vepron në mënyrë të pakoordinuar me ta sepse ju e dini që pas shpalljes së pavarësisë e deri më sot, Kosova në vazhdimësi e ka forcuar sovranitetin e saj dhe pranimin në organizata ndërkombëtare duke qenë bashkëpunuese veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kryeneçësia pa një bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare i bie që Kosova mund t’i humbë edhe këta aleatë”, ka thënë Sadiku.
“Kosova nuk pati sjellje diplomatike dhe bëri që të pësojë autogola sepse kishte kritika jo vetëm nga shtetet që konsiderohen armike, por edhe ato mike, si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania që e kanë mbështetur në vazhdimësi Kosovën. Aleatët e potencuan se vendimi ishte legal po jo i koordinuar dhe natyrisht kërkuan që të ketë një fazë tranzitore. Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka potencuar se nuk ka nevojë të merret asnjë vendim që prek interesat e komuniteti serb në Kosovë deri sa të krijohet Asociacionit. Pra kjo shihet si pengesë për qytetarët serb në Kosovë”.
Sipas Sadikut, kjo seancë u shfrytëzua edhe për konsum të brendshëm nga partia në pushtet.
“Kjo është një sjellje jo e mençur diplomatike për Kosovën, madje në vend se të japim gola tek pala kundërshtare në këtë rast po pësojmë autogola për shkak të mungesës së përvojës në diplomaci dhe duke u bazuar në vendimet e kësaj qeverie që janë më shumë populiste. Ajo mendon vetëm për sondazhet e zgjedhjeve të ardhshme, e jo për interesin nacional afatgjatë të Republikës së Kosovës”, është shprehur Sadiku.
Opozita kritikon qeverinë
Thirrja e një seance me kërkesë të Serbisë dhe qortimi që iu bë qeverisë nga shtetet që i konsideron aleate, nga opozita u cilësua shuplakë për qeverinë.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se Kurti bëri që fuqitë perëndimore të pajtohen më Rusinë e Kinën.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, ka shkruar Hoxhaj.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka cilësuar të panevojshme ballafaqimin Kurti-Vuçiq në seancën e së hënës.
“Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën. U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit”, ka shkruar Hoti.
Por kryeministri Albin Kurti, ka thënë se fjalimi i tij në Këshillin e Sigurimit ka forcuar përkushtimin që ka ndaj të drejtave të njeriut.
“Fatkeqësitë me të cilat është përballur Kosova kanë forcuar përkushtimin tonë ndaj të drejtave të njeriut. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që rregullorja BQK-së të mbron të gjithë qytetarët nga krimi dhe terrorizmi dhe që serbët e Kosovës të marrin ndihmë për një tranzicion të qetë”, ka shkruar Kurti në Platformën “X”.
Edi Rama bën thirrje për rikthim në dialogun e Brukselit
Veç kërkesës për shtyrje e zbatimit të rregullores prej Kosovës e Serbisë që t’i kthehen dialogut të Brukselit. Këtë thirrje e adresoi edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që tha se Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku arrihet normalizimi i marrëdhënieve.
“Ishte një seancë e pakuptimtë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vend për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë qytetarët e zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, ka thënë Rama.
Megjithatë, ai ka shtuar se Shqipëria qëndron pas Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm teksa i thekson lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët.
“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t'i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare” ka shkruar Rama në platformën X.
Në seancën e Këshillit të Sigurimit Kurti e ka akuzuar Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) – atë bazë të arritur në Brukselit dhe Aneksin për zbatimin e saj të dakorduar në Ohër – si dhe për mosrespektimin e pikave të dakorduara.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë dy herë në vit, në prill dhe tetor, gjatë të cilave diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit është mbajtur më 23 tetor 2023.