Është thuaj se e sigurt se miliona euro do t’i humbë Kosova nga fondet e Bashkimit Evropian shkaku i ngërçit politik, ka thënë korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, në “Interaktiv” të hënën.
Ai ka bërë të ditur se edhe në kushte normale do të ishte e vështirë të shfrytëzoheshin mjetet brenda afateve, e tash për shkak se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve kjo bëhet “pothuajse e pamundur”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kosova ka humbur shumë vite për shkak të ngërçit politik vitin e kaluar dhe shkaku i masave ndëshkuese të BE-së që zgjatën gati tri vjet. E tash kur mjetet janë liruar, Kosovës i mungojnë strukturat e institucionet e qëndrueshme”, ka thënë Palokaj.
Palokaj ka thënë se mbi 10 milionë euro sa do të duhen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit nuk janë as 1 për qind të parave që Kosova rrezikon të humbë nga fondet e BE-së.
“Prandaj kjo krizë politike është fatkeqe”, ka thënë Palokaj.
Në fakt, për Kosovën ishte bërë e qartë javë më parë se rrezikon t’i humbë milionat e planifikuara nga Plani i Rritjes. Për Kosovën kërkohej që t’i përmbushte reformat deri në fund të qershorit.
Nga BE-ja kanë rikujtuar se afati gri për hapat të cilat është dashur të përmbushen në mesin e vitit 2025, skadon me 30 qershor të këtij viti. E nëse afatet nuk respektohen partnerët (shtetet e Ballkanit Perëndimor) rrezikojnë të humbin mbi 700 milionë euro së bashku.
Kosova sapo ka nisur javën e shkuar të marrë pagesat e para nga parafinancimi nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Edhe këto mjete të para për Kosovën nisën të paguhen pas shumë vonesave të shkaktuara nga ngërçi politik në vitin 2025 në Kosovë, kur nuk kishte mundësi për ratifikim të marrëveshjeve për kredi dhe mjete mes Kosovës dhe BE-së në Kuvendin e Kosovës. Sipas një përllogaritjeje, Kosova në qershor do të humbë 68.8 milionë euro.
Sipas një tabele për monitorimin e përmbushjes së kushteve nga Plani i Rritjes, Kosova nuk e ka përmbushur asnjë nga 111 hapat e paraparë me këtë plan.
Nga Plani i Rritjes Kosova parashihej të përfitonte rreth 880 milionë euro.
Komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos ka konfirmuar ditë më parë në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian se u ka dërguar letër të gjitha gjashtë vendeve të rajonit ku ka tërhequr vërejtjen për nevojën që t’i përshpejtojnë reformat në mënyrë që të përfitojnë nga fondet e parapara nga Plani i Rritjes.
E Bashkimi Evropian veçse ka pezulluar fondin e Planit të Rritjes për Serbinë, ka bërë të ditur komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos. Ajo ka akuzuar Serbinë për regres në reformat gjyqësore, ka raportuar “France Presse” të premten.
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e reja parlamentare më 7 qershor, pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin brenda afatit kushtetues.