Një aksident tragjik të dielën ka ndodhur në kryqëzimin e semaforëve në Bresje të Fushë-Kosovës, ku një burrë ka mbetur i vdekur. Banorët dhe ekspertët e komunikacionit e konsiderojnë këtë zonë si një pikë të rrezikshme dhe paralajmërojnë nevojën për ndërhyrje urgjente. Sipas ekspertëve, ajo zonë duhet të trajtohet si pikë e zezë e komunikacionit
Aksidenti me fatalitet te semaforët në Bresje të Fushë-Kosovës, ku si pasojë të dielën një burrë mbeti i vdekur, po konsiderohet shqetësues nga banorët e lagjes dhe ekspertët e komunikacionit.
Safet Zeqiri thotë se vendi ku ndodhi aksidenti njihet prej kohësh si pikë e rrezikshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që në këtë vend ndodhin aksidente me pasoja fatale.
“Gjithherë ka pasur rrezik këtu, shumë njerëz kanë humbur jetën për shkak të këtyre semaforëve dhe këtij kryqi këtu. Është përgjegjësi shumë e madhe e infrastrukturës, e Ministrisë dhe e Komunës që janë duke e lejuar një gjë të tillë. Gjithmonë kemi vështirësi, sidomos të martave kur vijnë banorët e lagjes. Komuniteti që vjen gjithmonë është i rrezikuar komuniteti ashkali dhe rom në atë pjesën prej semaforëve. Edhe më herët ka pasur aksidente me fatalitet, me mbytje e me pasoja”, ka thënë banori i Bresjes, Zeqiri.
Eksperti i komunikacionit, Selman Kolgeci, ka thënë se aksidenti tragjik nuk është rastësi, por rezultat i një kombinimi faktorësh të njohur për përdoruesit e këtij segmenti rrugor.
Ai ka thënë se duhet ndërmarrë disa hapa që kjo zonë të bëhet më e sigurt.
“Duhet të sigurohet kalimi i këmbësorëve në mënyrë të mbrojtur. Në këtë zonë nevojitet zgjidhje e tipit mbikalim ose nënkalim, që ta largojë konfliktin mes këmbësorit dhe automjetit. Nuk mjafton vetëm sinjalizimi; duhet monitorim i shkelësve dhe rritje e nivelit të kulturës në ngasje në mënyrë që rregullat të mos mbeten vetëm në letër. Segmenti duhet të trajtohet teknikisht si zonë e ndjeshme në komunikacion. Ajo pjesë duhet me urgjencë të marrë vëmendje institucionale, të trajtohet si pikë e zezë dhe të rriten përgjegjësia dhe kultura e ngasjes, sepse kur aksidentet përsëriten në të njëjtin vend, problemi nuk është më rastësi”, ka thënë Kolgeci.
Edhe eksperti tjetër i komunikacionit, Muhamet Krasniqi, thotë se duhen veprime konkrete për uljen e aksidenteve tragjike.
“Jo vetëm ky udhëkryq apo segment rrugor, por i tërë rrjeti rrugor në Kosovë duhet t’iu nënshtrohet auditimit dhe inspektimit të sigurisë rrugore, për me pa se sa janë të sigurta rrugët për ofrimin e shërbimeve për pjesëmarrësit në trafikun rrugor. Ndërsa ky udhëkryq këtu, sigurisht që ka nevojë për një ridizajnim, pasi për shkak të mungesës së sinjalizimit të domosdoshëm vertikal, si dhe atij horizontal, ndikohet drejtpërdrejt në uljen e sigurisë rrugore”, ka deklaruar Krasniqi.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të marrë shifër të saktë të aksidenteve në këtë zonë, por nga ky institucion nuk janë ofruar statistika specifike.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për nivel vendi, në muajin janar të vitit të kaluar ishin regjistruar katër aksidente fatale me gjashtë persona të vdekur, ndërsa në janar të këtij viti dy aksidente me dy viktima.
Sipas të dhënave, këtë muaj ka rritje të aksidenteve me lëndime krahasuar me janarin e vitit të kaluar, pasi janë regjistruar 673 aksidente me 1,270 persona të lënduar, 51 më shumë se në janarin e vitit të kaluar.
Sipas raportit policor, i dyshuari që goditi këmbësorin në Bresje të Fushë-Kosovës, me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.