Arbëri

Kundërmimi nga përroska që Komuna e la në gjysmë po ua humb durimin banorëve të Hajvalisë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka nisur të mërkurën duke treguar se si komuna që ai udhëheq është zgjedhur në mesin e 6 kryeqyteteve më transparente në Evropë.

Derisa Ahmeti fliste për transparencë, në anën tjetër, qytetarët e një pjese të Prishtinës e kanë nisur ditën me kundërmimin e kanalizimit.

Mustafa Vitia ka ardhur nga Danimarka për pushime në Hajvali.

Por, pushimet thotë se po ia prish kundërmimi i ujërave të zeza, të cilat rrjedhin në përroskën e hapur pranë shtëpisë së tij, raporton KTV.

Komuna kishte ndërtuar vitin e kaluar vetëm një pjesë të kolektorit të ujërave të zeza në këtë lagje.

Derisa pjesa tjetër e përroskës është lënë e hapur dhe kjo, sipas banorëve, po i rrezikon edhe fëmijët.

Në hall me kundërmimin e vazhdueshëm janë edhe dhjetëra shtëpi tjera të kësaj lagjeje.

Komuna thotë se është detyruar ta ndërpres ndërtimin e kolektorit për shkak të problemeve pronësore.

Një pjesë e madhe e Prishtinës është në hall me kanalizimet.

Komuna vazhdimisht thotë se problemet pronësore po e pengojnë përfundimin e këtyre projekteve.