Çështja e sigurisë së Kosovës e raportet me Serbinë ndërlidhur me dialogun në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, ishin tema e diskutimit që kryeministri Albin Kurti i ka folur me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në pallatin Elyse në Paris të premten.
Sipas njoftimit nga Zyra e kryeministrit, në takimin e Kurtit me Macronin është theksuar roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian. Në takim është diskutuar për integrimet dhe sigurinë në Evropë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit. “Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”.
Aty është diskutuar edhe për planet dhe investimet në edukim dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë-Francë. Është folur edhe për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës”, përfundon komunikata.
Të enjten presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kurti do të takohet me Macronin derisa ka pretenduar se Kurti do t'ia paraqesë dy kërkesa presidentit francez.
Vuçiqi në TV Prva ka pretenduar se Kurti do t’i kërkojë Macronit që forcat e NATO-s në Kosovë të largohen nga zona kufitare dhe që Franca ta mbështesë këtë ashtu që Kosova “të mund të sjellë Forcat e Sigurisë së Kosovës në zonën tokësore të sigurisë”.
“Shpresoj që askush në NATO nuk do ta mendojë ta mbështesë këtë kërkesë, jam i sigurt se miku im Macron nuk do ta mendojë ta mbështesë. Do të ishte sulm direkt për paqen, popullin tonë, të gjithë Serbinë, dhe jam i sigurt se nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.
Ai ka pretenduar tutje se Kurti do t’i kërkojë Macronit që Franca t’ia kushtëzojë Serbisë përdorimin e armëve, që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve.
Siç ka pretenduar tutje Vuçiqi, autoritetet në Beograd kanë “njerëz rreth Kurtit” dhe ata kanë pranuar agjendën e tij për bisedën me Macronin.
“Kurti ka katër tema dhe dy kërkesa”, ka thënë ai.
ZKM është pyetur lidhur me këto pretendime, por nuk ka dhënë koment për to, përpos agjendës zyrtare.