Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Instituti i njohur francez “Jacques Delors” në Paris, ku u mirëprit nga drejtorja e institutit, Sylvie Mattelly. Diskutimi u përqendrua në situatën gjeopolitike në Evropë dhe ndikimin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa u trajtuan edhe tema të tjera si mbrojtja, të drejtat e njeriut dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në këtë tryezë ishte i pranishëm edhe i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.
Gjatë fjalës hyrëse sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti falënderoi organizatorët për ftesën dhe ka thënë se Evropa sot është njëkohësisht e begatë dhe e sfiduar thellësisht, teksa theksoi nevojën për planifikim afatgjatë në një kohë të mbushur me sfida gjeopolitike.
“Sistemet që lulëzojnë – qoftë institucione, organizata apo shoqëri – evoluojnë përmes cikleve të rendit, çrregullimit dhe rirregullimit. Për Evropën, ky ekuilibër i ri kërkon një qëndrim të qartë kundër autoritarizmit dhe përfshirje të qartë të atyre vendeve që mbështesin demokracinë”, u shpreh Kurti.
Duke folur për Kosovën, ai theksoi përparimin institucional dhe ekonomik që vendi ka arritur prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, duke theksuar se gjatë mandatit të tij qeveritar është luftuar korrupsioni dhe është shënuar rritje e qëndrueshme ekonomike.
Kurti përmendi se në korrik të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konflikti, duke u bazuar në përmirësimet e dukshme institucionale dhe ekonomike, përfshirë rënien e papunësisë nga rreth 26% në më pak se 11%.
Ai foli edhe për politikat sociale progresive të qeverisë, si arsimi i lartë publik falas, shtesat për lehona dhe fëmijë, skemat e punësimit të të rinjve dhe rritjen e pensioneve. Kurti përmendi gjithashtu përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, që do të sjellin investimet më të mëdha në infrastrukturën sportive të vendit. Në këtë kontekst, ai falënderoi Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për bashkëpunimin dhe mbështetjen e projekteve zhvillimore në Kosovë.
Gjatë diskutimit u trajtuan edhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, ku Kurti theksoi rritjen e buxhetit dhe kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke thënë se mbrojtja e demokracisë është e pandashme dhe e pandalshme.
Kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi.
Kurti është i ftuar në Forumin e Paqes në Paris nga presidenti Emmanuel Macron. Ky forum mbahet sot dhe nesër.